Gjashtë të vdekur e 10 të zhdukur nga vërshimet në Japoni - NACIONALE

Gjashtë të vdekur e 10 të zhdukur nga vërshimet në Japoni

1 vit më parë

nga NACIONALE

Gjashtë persona kanë vdekur dhe dhjetë të tjerë janë zhdukur, pasi reshjet rekorde të shiut shkaktuan vërshime e rrëshqitje dheu në disa pjesë të prefekturës Ishikawa të Japonisë.

Qytetet Wajima dhe Suzu, që ende janë duke e marrë veten nga një tërmet vdekjeprurës që kishte ndodhur më 1 janar, janë në mesin e vendbanimeve më të goditura nga përmbytjet, që filluan të shtunën dhe vazhduan deri në mesditën e së hënës sipas kohës lokale, raporton televizioni BBC.

Të dielën, në të dyja qytetet pati reshje dyfish më të shumta se që ndodhin zakonisht në shtator në një vit mesatar, raportuan mediat lokale.

Dhjetëra lumenj dolën nga shtretërit, duke shkaktuar bllokim të rrugëve e izolim të më shumë se 100 komuniteteve të prefekturës, sipas mediave japoneze.

Dy prej të vdekurve u gjetën afër një tuneli të goditur nga rrëshqitja e dheut në Wajima. Njëri prej tyre ishte punëtor ndërtimi që po kryente riparim të rrugës.

Dy burra të moshuar dhe një grua e moshuar ishin në mesin e viktimave të tjera, raportoi gazeta “Japan Times”, duke i cituar autoritetet lokale.

Agjencia meteorologjike e Japonisë e lëshoi nivelin më të lartë të paralajmërimit me “rrezik për jetën” për Ishikawa-n të shtunën, por e uli në nivel të rregullt atë të dielën. Megjithatë, autoritetet kanë bërë thirrje për vigjilencë të vazhdueshme, pasi reshjet pritet të vazhdojnë të paktën deri të hënën në mesditë.

Rajoni është ende duke e marrë veten nga tërmeti i fuqishëm prej 7,5 shkallësh që kishte ndodhur në janar dhe kishte lënë të paktën 236 njerëz të vdekur, kishte rrëzuar ndërtesa dhe kishte shkaktuar një zjarr të madh.

Rreth 4 mijë amvisëri ishin pa furnizim me energji elektrike të hënën, sipas kompanisë së energjisë “Hokuriku”. Më shumë se 40 mijë banorë të katër qyteteve u evakuuan gjatë fundjavës.

Lajme të ngjashme