Gjashtë nga 10 emigrantët që shkojnë me varka në Angli janë nga Shqipëria
Pas një rritjeje të madhe të numrit të emigrantëve që kalojnë Kanalin Anglez, shifrat e reja tregojnë se gati gjashtë nga 10 prej tyre janë nga Shqipëria.
POLITICO shkruan se, shtetasit shqiptarë tani përbëjnë më shumë se gjysmën e të gjithë emigrantëve që mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla përgjatë Kanalit Anglez.
Shifrat e Home Office të publikuara të enjten zbuluan se në gjashtë muajt e parë të vitit 2022, në Mbretërinë e Bashkuar ishin regjistruar 2,156 shqiptarë nga gjithsej 12,747 persona – krahasuar me vetëm 23 shqiptarë në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërkohë, departamenti tha se numri i përgjithshëm i shqiptarëve që kanë mbërritur deri më tani gjatë këtiji viti ka shkuar afër 6,000 dhe është duke u rritur me shpejtësi.
Zyra e Brendshme shtoi se rritja e numrit të shqiptarëve që mbërrijnë javët e fundit mund të shpjegohet me një kombinim faktorësh, duke përfshirë tërheqjen e familjes dhe shënjestrimin specifik nga kontrabandistët e njerëzve.
Pasi zyrtarët e zbatimit të ligjit nisën një goditje në rrugët e kontrabandës së njerëzve në të gjithë kontinentin, bandat e krimit të organizuar hapën një rrugë të re ballkanike për në Evropë nëpërmjet Shqipërisë.
Ndryshe nga migrantët pa dokumente nga jashtë Evropës, qytetarët shqiptarë përfitojnë nga liria e lëvizjes në të gjithë BE-në, e cila lehtëson udhëtimin e tyre në të gjithë kontinentin drejt vendeve të ndryshme bregdetare në Francën veriore.
"Rritja e konsiderueshme e njerëzve që bëjnë kalime të rrezikshme me varka të vogla vazhdon të ushtrojë presion mbi sistemin e azilit të Mbretërisë së Bashkuar dhe aftësinë tonë për të marrë vendime në kohë", tha Simon Baynes, ministër për migracionin e paligjshëm, duke këmbëngulur që ata që udhëtojnë nëpër vende që konsiderohen "të sigurta" duhet të pretendojnë azil atje.
Ndërsa pas publikimi të këtyre të dhënave, Sekretarja e Brendshme Priti Patel njoftoi një marrëveshje me qeverinë shqiptare për të përshpejtuar largimet e shtetasve shqiptarë që nuk kanë leje për të qëndruar në MB. Për të nxitur punën e përbashkët, u bë e ditur se javën e ardhshme Mbretëria e Bashkuar do të vizitohet nga një delegacion shqiptar.
Home Office tha se më parë, numri i shqiptarëve që arrinin në vend me varka ishte shumë i ulët, me vetëm 898 persona të regjistruar në tre vite.
Deri me tani, më shumë se 22,560 njerëz kanë kaluar Kanalin me varka të vogla dhe zyrtarët e Mbretërisë së Bashkuar kanë frikë se shifra vjetore do të tejkalojë totalin e vitit të kaluar prej 28,526.
U tha se varkat po transportojnë gjithashtu më shumë pasagjerë, duke rritur rrezikun e përmbysjes ku sipas zyrtarëve të vendit, në një gomone tashmë ka një mesatare prej 44 personash nga 28 që ka qenë më herët.

