Gjashtë muaj luftë e Rusisë në Ukrainë – shifrat që e tregojnë realitetin - NACIONALE

Gjashtë muaj luftë e Rusisë në Ukrainë – shifrat që e tregojnë realitetin

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kur Rusia e nisi sulmin ndaj Ukrainës në orët e hershme të 24 shkurtit – duke e sulmuar vendin nga veriu, jugu e lindja e duke i nisur ushtarët drejt kryeqytetit Kiev – bota perëndimore u tmerrua, ndërsa gati 44 milionë banorët e Ukrainës u kapluan nga paniku.

Gjashtë muajt pasues të luftës mes dy shteteve më të mëdha të Evropës kanë shkaktuar vdekje masive e kanë detyruar miliona njerëz që të ikin nga shtëpitë e tyre. Fushëbeteja ka ndryshuar në mënyrë dramatike në mbarë vendin, por kudo që ka prekur konflikti, ka lënë shkatërrim të madh prapa vetes.

Gjysmë viti në luftë, shkalla e konfliktit mund të matet jo vetëm me armatim dhe territor, por edhe me koston gjithnjë të rënduar njerëzore. Mijëra civilë janë bërë viktima të luftimeve, ndërsa ata që kanë ikur, janë shpërndarë nëpër Evropë në përpjekje për ta rindërtuar jetën.

Dikur vend me prosperitet e rini, tashmë disa pjesë të Ukrainës janë rrënuar. Shifrat e mëposhtme e tregojnë gjerësinë e konfliktit më të rëndë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

43.528.136

Më 1 janar 2022, Ukraina kishte 43.528.136 banorë, sipas CIA-s.

11.150.639

Mes 24 shkurtit e 16 gushtit të këtij viti, 11.150.639 njerëz e kanë kaluar kufirin për të dalë nga Ukraina, sipas Komisionarit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë.

4.767.914

Mes 28 shkurtit e 16 gushtit të vitit 2022, 4.767.914 njerëz e kaluan kufirin për të hyrë në Ukrainë, sipas të njëjtit burim.

6.645.000

Mes 24 shkurtit e 23 korrikut të këtij viti, 6.645.000 ukrainas janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre, por nuk janë larguar nga shteti, sipas Organizatës Ndërkombëtare të Migrimit.

13.477

Mes 24 shkurtit e 22 gushtit të vitit 2022, vlerësohet se 13.477 civilë ukrainas janë vrarë (5.587) ose janë lënduar (7.890), sipas Zyrës së Komisionarit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut.

200

Mes 24 shkurtit e 10 majit të këtij viti, 200 qendra të kujdesit shëndetësor në Ukrainë janë sulmuar, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

4.800.000

Mes 24 shkurtit e 11 qershorit të vitit 2022, 4.800.000 vende pune të Ukrainasve janë humbur, sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës./Nacionale

Lajme të ngjashme