Gjashtë libianë ballafaqohen me dënimin me vdekje pse u konvertuan në Krishterim
Gjashtë libianë janë duke u ballafaquar me dënimin me vdekje për shkak të konvertimit në Krishterim dhe për përpjekje që të konvertojnë persona të tjerë në këtë fe. Aktivistët thonë se këto ligje po përdoren gjithnjë më shumë për t’ua mbyllur gojën organizatave për të drejtat e njeriut dhe shoqërisë civile.
Burrat dhe gratë – disa nga grupet etnike pakicë, përfshirë Berberët, në perëndim të vendit – u ndaluan nga forcat e sigurisë në mars, raporton gazeta “The Guardian”.
Një shtetas amerikan u arrestua nga Agjencia për Siguri të Brendshme e Libisë muajin e kaluar, por u lirua dhe merret vesh se është larguar nga vendi.
Gjashtë libianët janë akuzuar sipas nenit 207 të kodit penal, me të cilin dënohet çfarëdo përpjekje për të qarkulluar pikëpamje me qëllim të “ndryshimit të parimeve themelore kushtetuese ose të strukturave themelore të rendit shoqëror”, ose për ta rrëzuar shtetin dhe kushdo që ka libra, fletëpalosje, vizatime, slogane “ose çfarëdo gjëje tjetër” që e promovon kauzën e tyre.
Agjencia për Siguri të Brendshme tha në një deklaratë se arrestimi i këtyre personave është bërë “për ta ndalur veprimin e një bande të organizuar, qëllimi i së cilës ishte përpjekja për t’i bindur njerëzit që ta braktisnin Islamin”.
Avokati i njërit prej të ndaluarve tha se familjet e tyre morën vesh se ata janë arrestuar, kur videot e rrëfimeve të tyre u publikuan në internet nga Agjencia për Siguri të Brendshme.
Në njërën prej videove shihet Seyfao Madi, inxhinier dhe baba i një fëmije, duke rrëfyer se është konvertuar në Krishterim më 2017 dhe se ishte përpjekur që të konvertonte edhe njerëz të tjerë.
Edhe pse fytyra e tij nuk shihet qartë në video, Madi dëgjohet duke thënë: “Jam lindur më 1977 dhe jam arrestuar nga Njësiti për Siguri të Brendshme për shkak të konvertimit në Krishterim. Iu bashkova një grupi të libianëve dhe të huajve brenda Libisë që bënin thirrje dhe qarkullonin për Krishterimin.”
“Më 2016, miku im më njohu me miqtë e tjerë, në mesin e tyre një i krishterë nga ShBA-ja. Biseduam dhe diskutuam... pastaj unë u konvertova vitin pasues dhe ai më pagëzoi”- shtoi Madi në videon e publikuar nga autoritetet libiane.