Gëzim për Tokën: 117 shtete pajtohen në Dubai për ta trefishuar energjinë e ripërtëritshme - NACIONALE

Gëzim për Tokën: 117 shtete pajtohen në Dubai për ta trefishuar energjinë e ripërtëritshme

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Qeveritë e 117 shteteve u zotuan të shtunën se do ta trefishojnë kapacitetin botëror të energjisë së ripërtëritshme deri në vitin 2030. Ky premtim u dha gjatë samitit global të klimës “COP28”, që po mbahet në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Zotimi ishte në mesin e një grupi të njoftimeve që u dhanë të shtunën me qëllim të dekarbonizimit të sektorit të energjisë. Në premtime të tjera përfshihen zgjerimi i energjisë bërthamore, zvogëlimi i lirimit të metanit dhe frenimi i financave private për energji nga djegia e thëngjillit, raporton agjencia “Reuters”.

“Kjo mundet dhe do ta ndihmojë tranzicionin e botës për t’u larguar nga thëngjilli i papakësuar”- tha Sultan al-Jaber, president i samitit.

I udhëhequr nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Emiratet e Bashkuara, në zotim gjithashtu thuhet se trefishimi i energjisë së ripërtëritshme do ta ndihmojë largimin e lëndëve fosile që lirojnë dyoksid karboni nga sistemi botëror i energjisë më së largu deri në vitin 2050.

Në mesin e shteteve që e përkrahën këtë zotim janë Brazili, Nigeria, Australia, Japonia, Kanadaja e Kili.

Edhe pse Kina e India kanë dhënë shenja se e përkrahin trefishimin e energjisë së ripërtëritshme deri më 2030, asnjëra prej tyre nuk e mbështeti zotimin e përgjithshëm të shtunën.

Përderisa zhvillimi i energjisë së ripërtëritshme, si energjia diellore dhe ajo e erës, ka shënuar rritje në nivel global me vite, rritja e kostove, pengesat në fuqinë punëtore dhe problemet në zinxhirin furnizues kanë shkaktuar shtyrje dhe anulim të projekteve muajve të fundit.

Më shumë se 20 shtete nënshkruan një deklaratë të shtunën me qëllim të trefishimit të kapacitetit të energjisë bërthamore deri më 2050. I dërguari i ShBA-së për klimën, John Kerry, tha se bota nuk mund ta arrijë synimin për zero gazra pa ndërtuar reaktorë të rinj.

Lajme të ngjashme