Gazeta “The Guardian” e ndalon reklamimin e lojërave të fatit në nivel global
Gazeta e njohur britanike, “The Guardian”, ka marrë vendim që ta ndalojë reklamimin e lojërave të fatit në nivel global, duke argumentuar se është joetike që të merren të holla nga shërbimet që mund të çojnë në varësi dhe shkatërrim financiar.
Anna Bateson, shefe ekzekutive e “Guardian Media Group” tha se reklamimi i këtyre shërbimeve – sidomos përmes internetit – mund t’i ngujojë ata që luajnë në një cikël varësie që shkakton shqetësim financiar, probleme të shëndetit mendor dhe probleme më të gjera sociale, raporton gazeta “The Guardian”.
“Gazetarët e Guardian-it kanë raportuar për ndikimin shkatërrues të industrisë së lojërave të fatit në Mbretëri të Bashkuar dhe Australi, duke ndihmuar për bërjen e ndryshimit dhe për t’u siguruar që kjo çështje të mbetet lart në agjendën publike. Studimet theksojnë një lidhje të qartë mes shpërfaqjes ndaj reklamimit të lojërave të fatit dhe synimeve të rritura për t’u përfshirë në lojëra të fatit rregullisht”- tha ajo.
Zonja Baston tha se një shqetësim i posaçëm ishte se si kompanitë e lojërave të fatit i përdornin reklamat në internet për t’i joshur lojtarët individualë që t’i ktheheshin këtij aktiviteti. “Përfundimisht, ne besojmë se detyrimi ynë kryesor është që ta bëjmë gjënë e duhur për lexuesit tanë, pranda kemi vendosur se ka mënyra të tjera për të siguruar të hyra”- shtoi ajo.
Në vendim përfshihen të gjitha format e reklamave të lojërave të fatit, përfshirë promovimet për bastet sportive, kazinotë në internet dhe letrat me gërvishtje. Kjo masë do të vlejë në mbarë botën dhe do t’i përfshijë të gjitha versionet e shtypura dhe ato në internet, përfshirë “Guardian”-in, “Observer”-in dhe “Guardian Ëeekly”-n.
Gazeta “The Guardian” tashmë e ka në fuqi vendimin për ndalimin e reklamave nga kompanitë e karburanteve fosile, masë që është ndërmarrë nga viti 2020.
Për ta mbajtur nivelin e fitimit të tyre, kompanitë e lojërave të fatit shpenzojnë shuma të mëdha parash për reklama që të tërheqin klientë të rinj dhe për t’i bindur klientët ekzistues që të luajnë prapë.
