Gazeta japoneze: Japonia s’do ta njohë Palestinën shkaku i raporteve me ShBA-në - NACIONALE

Gazeta japoneze: Japonia s’do ta njohë Palestinën shkaku i raporteve me ShBA-në

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Japonia tani për tani nuk do të njohë një shtet palestinez, vendim që me gjasë është marrë për t’i mirëmbajtur marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe për ta shmangur ashpërsimin e pozicionit të Izraelit, raportoi të mërkurën gazeta “Asahi”, duke cituar burime të paidentifikuara qeveritare.

Disa qeveri, përfshirë ato në Britani, Francë, Kanada e Australi, kanë thënë se do të njohin një shtet palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara këtë muaj, duke ia shtuar presionin ndërkombëtar Izraelit për veprimet e tij në enklavë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Shtetet e Bashkuara e kishin shtyrë Japoninë që të heqë dorë nga njohja e një shteti palestinez përmes disa kanaleve diplomatike, ndërsa ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noel Barrot, i kishte bërë thirrje fuqishëm homologut të tij japonez që ta bënte të kundërtën, raportoi javën e kaluar agjencia e lajmeve “Kyodo”.

Japonia ka qenë duke bërë një “vlerësim gjithëpërfshirës, përfshirë kohën dhe modalitetet e duhura të çështjes së njohjes së shtetësisë palestineze” – tha të martën në një konferencë për shtyp ministri i Jashtëm i Japonisë, Takeshi Iëaya.

Sekretari i kabinetit qeveritar, Yoshimasa Hayashi, i cili është edhe zëdhënësi kryesor i Qeverisë së Japonisë, e përsëriti këtë deklaratë në një konferencë për gazetarë të mërkurën, kur u pyet për raportin e gazetës “Asahi”.

Megjithatë, Hayahsi shprehu një “ndjenjë të rëndë krize” për sulmin tokësor izraelit ndaj Qytetit Gaza, duke thënë se “vetë themelet e një zgjidhjeje me dy shtete mund të kolapsojnë”.

Ai i bëri thirrje Izraelit që “të ndërmarrë hapa substancialë për t’i dhënë fund krizës së rëndë humanitare, përfshirë urinë, sa më shpejt që është e mundshme”.

Në një takim të OKB-së të premten, Japonia ishte në mesin e 142 shteteve që votoi në favor të një deklarate në të cilën përvijohen “hapa të prekshëm, të kufizuar në kohë dhe të pakthyeshëm” drejt një zgjidhjeje me dy shtete mes Izraelit dhe palestinezëve.

Megjithatë, gazeta “Asahi” tha se kryeministri japonez, Shigeru Ishiba, pritet që të mos marrë pjesë në një takim më 22 shtator rreth kësaj teme gjatë mbledhjes së OKB-së në Nju-Jork./Nacionale

Lajme të ngjashme