“Gabimet teknike ndodhin”: Rusia e pranon kërkimfaljen e Vuçiqit për votën për Ukrainën në OKB
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha të martën se Rusia e pranon kërkimfaljen e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për mbështjen e “rezolutës anti-ruse” në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
“Natyrisht, ne e kemi dëgjuar kërkimfaljen dhe e pranojmë atë. Gabimet teknike ndodhin dhe një reagim i tillë i shpejtë nga kreu i shtetit na lë shumë përshtypje neve” – tha Peskovi, sipas agjencisë së lajmeve “Ria”.
Vuçiqi tha të hënën mbrëma se Serbia votoi “në favor” të miratimit të rezolutës evropiane për Ukrainën, por se ai beson që vendi i tij bëri gabim dhe do të duhej të abstenonte.
“Mendoj se Serbia bëri një gabim sot. Unë u kërkoj falje qytetarëve të Serbisë për këtë dhe e mbaj fajin për vete, sepse ndoshta jam i lodhur e i ngarkuar dhe nuk mund të kryej çdo gjë” – tha presidenti serb.
Më tej, Vuçiqi tha se “nganjëherë nuk kanë kohë që të merret me diçka në materiale” ose me të gjitha amendamentet.
“Shpjegimi që e pranova pas votimit në OKB, ku, për të qenë i qartë se për çfarë po flasim, ne votuam për rezolutën evropiane. Sa i përket rezolutës amerikane, ne votuam saktësisht ashtu si duhej, abstenuam. Sipas mendimit tim, ne duhej të abstenonim edhe për rezolutën evropiane dhe, siç mund të shihni, unë po e them këtë në një moment kur është goxha e qartë se do të humb favore ose pikë politike në BE për shkak të kësaj. Unë besoj se Serbia duhej të abstenonte” – shtoi ai.