Frikë për më shumë se 60 emigrantë të vdekur në Atlantik
Ka frikë se më shumë se 60 persona mund të kenë vdekur, pasi një barkë që po bartte emigrant u gjet afër Cape Verde-s, në Afrikën Perëndimore.
Tridhjetë e tetë persona, përfshirë disa fëmijë, janë shpëtuar. Në pamje shihen këta njerëz duke u ndihmuar për të dalë në breg, disa në barela, në ishullin Sal, raporton televizioni BBC.
Pothuajse të gjithë personat që ndodheshin në barkë, e cila ndodhej në det për më shumë se një muaj, mendohet se ishin nga Senegali.
Zyrtarët në Cape Verde kanë bërë thirrje për masa globale për migrim që të parandalohet humbja e mëtejshme e jetës së njerëzve.
Barka u vërejt së pari të hënën, tha policia. Raportimet fillestare lanë të kuptohej se barka ishte përmbytur, por më vonë u sqarua se ajo ishte gjetur duke u luhatur.
Barka e drunjtë ishte parë gati 320 kilometra larg ishullit Sal nga një barkë spanjolle e peshkimit, e cila më pas i njoftoi autoritetet, tha policia.
Në mesin e personave të mbijetuar janë katër fëmijë të moshave 12 deri 16-vjeçare, tha një zëdhënës i Organizatës Ndërkombëtare të Migracionit.
Barka ishte nisur nga fshati senegalez, Fasse Boye, më 10 korrik, me 101 persona në të, tha të martën Ministria e Jashtme e Senegalit, duke cituar dëshmitarë.
Moda Samb, zyrtar i zgjedhur në fshat, tha se pothuajse të gjithë njerëzit që ndodheshin në barkë ishin rritur në atë komunitet dhe se disa familje ishin ende duke pritur për të marrë vesh nëse të afërmit e tyre janë në mesin e të mbijetuarve.