Francois Bayrou emërohet nga Macroni si kryeministër i ri i Francës - NACIONALE

Francois Bayrou emërohet nga Macroni si kryeministër i ri i Francës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti francez, Emmanuel Macron, të premten e emëroi Francois Bayrou si kryeministër të Francës, duke e ngarkuar politikanin veteran për ta nxjerrë vendin nga kriza e dytë politike në gjashtë muajt e fundit.

Politikani 73-vjeçar pritet ta paraqesë listën e ministrave ditëve të ardhshme, por gjasat janë që edhe ai do të ballafaqohet me vështirësitë e njëjta ekzistenciale në pushtet si Michel Barnier-i gjatë trajtimit të legjislacionin në Kuvendin me përbërje të baraspeshuar mes tri blloqeve rivale. Afërsia e tij me presidentin gjithashtu do të jetë pikë e ndjeshme, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Pas shkarkimit të Barnierit përmes mocionit të mosbesimit nga deputetët francezë, Macroni shfrytëzoi disa ditë për të biseduar me udhëheqës të partive në përpjekje për ta siguruar mbështetjen për emërimin e Bayrout. Në diskutime nuk u përfshinë partia e së djathtës ekstreme e zonjës Marine Le Pen dhe një parti e së majtës ekstreme.

Çfarëdo përfshirjeje e Partisë Socialiste në një koalicion mund t’i kushtojë Macronit në buxhetin e vitit të ardhshëm.

“Tani do të shohim se sa miliarda [euro] do të kushtojë përkrahja e Partisë Socialiste” – tha të premten një këshilltar qeveritar.

Macroni do të shpresë që Bayrou do të jetë në gjendje për t’iu shmangur mocioneve të mosbesimit të paktën deri në korrik, kur Franca do të mund të mbajë zgjedhje të reja parlamentare, por e ardhmja e tij si president do të vihet në pikëpyetje në mënyrë të pashmangshme, nëse Qeveria bie përsëri.

Lajme të ngjashme