Franca thotë se Trumpi nuk duhet të paragjykohet për Ukrainën
Aleatët e Ukrainës nuk duhet të paragjykojnë se si do ta trajtojë konfliktin në Ukrainë administrata e ardhshme amerikane, tha të hënën kryediplomati francez, duke shtuar se Parisi beson që fuqitë perëndimore duhet të qëndrojnë të bashkuara në përkrahjen e tyre për Kievin.
“Duke u ballafaquar për atë se çfarë do të mund të ishin pozicionet ose nismat e administratës së re të ShBA-së, unë mendoj se ne absolutisht nuk duhet të paragjykojmë dhe duket t’i japim kohë asaj (administratës)” – tha ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noel Barrot, në Forumin e Parisit për Paqe, raporton agjencia “Reuters”.
Megjithatë, ai tha se çfarëdo nisme duhet të garantojë që vetë Ukraina t’i ketë caktuar kohën dhe kushtet për përfshirje në një proces të bisedimeve. Në ndërkohë, sipas tij, aleatët perëndimorë duhet t’ia japin Kievit të gjitha mjetet e nevojshme për t’i sprapsur forcat pushtuese ruse.
“Ukraina dhe, përtej saj, komuniteti ndërkombëtar, do të kishin shumë për të humbur, nëse Rusia do ta vendoste ligjin e më të fortit” – paralajmëroi kryediplomati francez.
Ministri i Mbrojtjes i Francës tha të dielën se Parisi do të dërgonte një grup të ri të raketave me rreze të gjatë në Ukrainë në mënyrë që Kievi të mund të sulmojë prapa vijave ruse.
“Presidenti Volodymyr Zelensky është takuar me presidentin e zgjedhur, Donald Trump, shumë herë dhe unë nuk dyshoj që një marrëdhënie e fortë do të themelohet me administratën e re” – shtoi ministri Barrot.
Ministrja e Jashtme e Finlandës, Elina Valtonen, tha në forumin e njëjtë se është koha që aleatët e Ukrainës ta mprehin analizën e tyre ndaj Rusisë.
“Nuk ka të bëjë vetëm me Ukrainën. Rreziku që Rusia është duke ia shkaktuar njerëzimit është ekzistencial dhe nuk fillon ose nuk mbaron me Ukrainën” – tha kryediplomatja finlandeze, vendi i së cilës u bë anëtar i NATO-s vitin e kaluar si kundërpërgjigje ndaj fillimit të pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022./Nacionale