Franca kundër hapjes së zyrës ndërlidhëse të NATO-s në Japoni - NACIONALE

Franca kundër hapjes së zyrës ndërlidhëse të NATO-s në Japoni

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Franca nuk është entuziaste për propozimin që NATO-ja të hapë një zyrë ndërlidhëse në Japoni, ka thënë një zyrtar, disa ditë pasi presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se ky veprim do të ishte gabim i madh.

Rritja e bashkëpunimit ushtarak mes Pekinit dhe Moskës në Azi dhe Paqësor doli në pah të martën, kur ushtritë e Rusisë dhe të Kinës kryen patrulla të përbashkëta mbi Detin e Japonisë dhe mbi Detin e Kinës Jugore, duke i nxitur Japoninë dhe Korenë Jugore që të aktivizonin aeroplanë ushtarakë si kundërpërgjigje, raporton gazeta “The Guardian”.

Pavarësisht nga thirrjet që NATO-ja të punojë më ngushtë me aleatët në pjesën verilindore të Azisë, Franca, mësa duket, ngurron që të përkrahë ndonjë lëvizje që do t’i nxiste tensionet mes aleancës dhe Kinës.

“NATO (do të thotë) Atlantik i Veriut dhe nenet 5 dhe 6 e kufizojnë qartazi fushëveprimin në Atlantikun verior”- tha të martën një zyrtar francez, i cili kërkoi që të mos i publikohej emri.

“Nuk ka zyrë ndërlidhëse të NATO-s në asnjë shtet në rajon. Nëse NATO-ja ka nevojë për vetëdije rrethanore në rajon, mund t’i përdorë ambasadat e caktuara si pika kontakti”- shtoi zyrtari francez, duke reaguar për një artikull të publikuar së pari në gazetën “Financial Times”.

Zëdhënësi kryesor i qeverisë japoneze, Hirokazu Matsuno, refuzoi që t’i komentonte deklaratat e raportuara të Macronit, duke thënë vetëm se “konsiderime të ndryshme” janë duke u zhvilluar brenda NATO-s.

Hapja e një zyre në Japoni do ta kërkonte miratinim e njëzëshëm nga Këshilli i Atlantikut të Veriut, ku Franca do të mund ta shfrytëzonte të drejtën e vetos për ta bllokuar planin, sipas agjencisë së lajmeve “Kyodo”.

Kina ka reaguar me zemërim kundër propozimit për hapjen e një zyre ndërlidhëse në Japoni, propozim për të cilin u raportua së pari muajin e kaluar.

“Azia shtrihet përtej fushëveprimit gjeografik të Atlantikut të Veriut. Megjithatë, ne e kemi parë NATO-n shumë të vendosur për të lëvizur drejt lindjes në këtë rajon, duke ndërhyrë në punë të brendshme dhe duke nxitur ballafaqim të bllokut”- tha Wang Wenbin, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Kinës, duke reaguar për shkrimin e publikuar në gazetën “Financial Times”.

Në prill të këtij viti, presidenti francez realizoi një vizitë të profilit të lartë në Kinë dhe sugjeroi se Evropa duhet të mbajë distancë nga tensionet Kinë – ShBA për Tajvanin.

Lajme të ngjashme