Franca e quan të papranueshëm ndalimin e hyrjes së delegacioneve franceze në Izrael - NACIONALE

Franca e quan të papranueshëm ndalimin e hyrjes së delegacioneve franceze në Izrael

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ministria e Jashtme e Francës e akuzoi të martën ambasadën izraelite për sjellje “të papranueshme”, pasi kjo e fundit ndaloi vizitën në Izrael dy grupeve franceze, në mesin e të cilave kishte zyrtarë të zgjedhur, duke i akuzuar për lidhje me një organizatë terroriste.

Në një deklaratë të lëshuar të hënën, ambasada izraelite tha se nuk do ta lejonte hyrjen në Izrael të asnjë individi apo delegacioni të lidhur me Rrjetin e Decentralizuar të Bashkëpunimit për Palestinën ose Shoqatën e Solidaritetit Francë – Palestinë (AFPS), sepse ato janë të lidhura me Frontin Popullor për Çlirimin e Palestinës (PFLP), raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

PFFLP-ja cilësohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Delegacionet dhe shoqatat e prekura nga vendimi i Izraelit nuk mund të arriheshin menjëherë për koment.

Ministria e Jashtme e Francës tha se vendimi i Izraelit për t’ua shfuqizuar autorizimet për udhëtim dy delegacioneve, në të cilat përfshiheshin zyrtarë të zgjedhur francezë, është për keqardhje, kundërproduktiv dhe dëmtues ndaj marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Akuzat publike nga ambasada izraelite në Francë me pretendimet për lidhje mes këtyre shoqatave dhe organizatave terroriste janë të papranueshme” – thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Francës, duke i bërë thirrje Izraelit që ta shfuqizojë vendimin.

Marrëdhëniet mes Francës dhe Izraelit janë ndërlikuar muajve të fundit për shkak të luftës në Gaza dhe shqetësimit në rritje në Paris rreth mënyrës se si Izraeli po e trajton konfliktin.

Më herët këtë muaj, presidenti francez, Emmanuel Macron, la të kuptohej se vendi i tij mund të njohë një shtet të pavarur palestinez më vonë këtë vit varësisht nga një numër i kushteve, duke e nxitur zemërimin e zyrtarëve izraelitë.

“Izraeli është duke vepruar brenda të drejtës së vet, sipas së drejtës lokale dhe ndërkombëtare, për ta parandaluar hyrjen në territorin e tij delegacioneve të përbëra nga organizata që synojnë ta delegjitimojnë ekzistencën e tij dhe ta minojnë sigurinë e tij” – tha ambasada izraelite në Paris./Nacionale

Lajme të ngjashme