Franca e padit Iranin në GjND
Franca e ka paditur Iranin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) në Hagë për shkak të dy shtetasve francezë që janë duke u mbajtur në Iran qe tre vjet, tha të premten ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noël Barrot.
Njoftimi vjen në kohën kur negociatorët iranianë pritet të takohen me homologët e tyre nga Franca, Britania dhe Gjermania në Turqi të premten për bisedime rreth programit bërthamor të Iranit, raporton “France24”.
Cecile Kohler, mësuese 40-vjeçare e letërsisë nga pjesa lindore e Francës, dhe partneri i saj, Jacques Paris, në të shtatëdhjetat, ishin arrestuar më 7 maj 2022, ditën e fundit të një udhëtimi të tyre në Iran.
Ata po mbahen në ndalim nën akuza për spiunazh, të cilat i kanë mohuar fuqishëm.
Në rastin e paraqitur në GjND, Franca e akuzon Iranin për “shkelje të detyrimit për të ofruar mbrojtje konsullore” për dy shtetasit e saj, të cilët “janë mbajtur peng… të ndaluar në kushte të tmerrshme që përbëjnë torturë”, tha kryediplomati francez në televizionin “France 2”.
Ata janë në mesin e disa evropianëve që ende po mbahen të ndaluar në Iran, në të që disa shtete evropiane, përfshirë Francën, e konsiderojnë si strategji të qëllimshme të marrjes peng për të siguruar koncesione nga Perëndimi në kohën e tensioneve me Republikën Islamike.
Kohler dhe Paris janë të ndaluarit e fundit të njohur francezë në Iran pas lirimit të disa të tjerëve dhe nga qeveria franceze konsiderohen si “pengje shtetërore”.
Sipas familjeve të dy francezëve të ndaluar, ata po mbahen në burg në kushte tepër të vështira./Nacionale