Forcat ukrainase tërhiqen nga një pjesë e qytezës strategjike, Chasiv Yar - NACIONALE

Forcat ukrainase tërhiqen nga një pjesë e qytezës strategjike, Chasiv Yar

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ushtria ukrainase tha të enjten se trupat e saj ishin tërhequr nga një pjesë e qytezës Chasiv Yar, në rajonin lindor të Donetskut, një ditë pasi Rusia tha se forcat e saj kishin marrë nën kontroll një distrikt të tij.

Chasiv Yar shtrihet në terren të ngritur. Nëse forcat ruse e marrin kontrollin e plotë të kësaj qyteze, ato potencialisht do të mund ta përdornin atë si pikënisje për të avancuar më në perëndim, drejt qyteteve ukrainase, Kramatorsk dhe Sloviansk, raporton agjencia “Reuters”.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha të mërkurën se forcat e saj e kishin marrë nën kontroll distriktin “Novyi”, i cili shtrihet në perëndim të kanalit Donets – Donbas, që rrjedh nëpër pjesën lindore të qytezës.

“U bë jopraktike që të mbahej lagjja e kanalit, pasi armiku hyri në të, sepse kjo e rrezikonte jetën dhe shëndetin e ushtarëve tanë dhe pozicionet e mbrojtësve tanë u shkatërruan” – tha zëdhënësi i ushtrisë ukrainase, Nazar Voloshyn, në televizionin ukrainas.

“Komanda vendosi që të tërhiqej në pozicione më të mbrojtura dhe më të përgatitura, por edhe atje, armiku nuk i ndal veprimet e veta aktive luftarake” – shtoi ai.

Forcat ruse, që e nisën pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, kanë qenë duke avancuar ngadalë në rajonin e Donetskut për disa javë dhe janë munduar të hapin një front të ri afër qytetit verilindor ukrainas, Kharkiv.

Përparimi i pushtuesve në rajonin e Kharkivit u ndërpre, por analistët ushtarakë ukrainas pranojnë se viti 2024 ka qenë i vështirë për Ukrainën në fushën e betejës dhe se vonesat në pranimin e ndihmave ushtarake amerikane kishin ndikim./Nacionale

Lajme të ngjashme