Forcat ukrainase futen në një qytet kyç, e zë hapin kundërsulmi ndaj rusëve - NACIONALE

Forcat ukrainase futen në një qytet kyç, e zë hapin kundërsulmi ndaj rusëve

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Forcat ukrainase kanë hyrë në qytetin kyç lindor, Kupiansk, kur në kundërsulmin e shpejtë ndaj pushtuesve rus po shënohen fitore të reja, thanë zyrtarët e vendit të përfshirë nga lufta.

Qyteti Kupiansk është qendër jetike e furnizimit për forcat ruse në lindje të Ukrainës dhe ishte marrë në dorë nga pushtuesit një javë pas fillimit të luftës në shkurt, shkruan BBC, përcjell Nacionale.

Forcat speciale të Ukrainës publikuan fotografi të ushtarëve në rrjete sociale. Ato thanë se në pamje shihen ushtarët ukrainas në Kupiansk.

Më herët, zyrtarët e mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar thanë se Ukraina ka përparuar 50 kilometra në territorin që më herët është kontrolluar nga forcat ruse.

“Me gjasë, forcat ruse u zunë në befasi. Sektori mbahej vetëm lehtazi dhe njësitet ukrainase kanë kapur ose rrethuar disa qyteza”, tha Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe.

Ukraina e nisi kundërsulmin në lindje të vendit më herët këtë javë, ndërsa vëmendja ndërkombëtare është përqendruar në përparimin e pritshëm afër qytetit jugor, Kherson.

Analistët besojnë se Rusia ka ridrejtuar disa nga trupat më me përvojë për ta mbrojtur këtë qytet.

Sidoqoftë, përpos përparimit në terrenin lindor, Ukraina është duke shënuar përparim edhe në jug, tha një zyrtar ukrainas.

Nataliya Gumenyuk, zëdhënëse e komandës jugore të ushtrisë ukrainase, tha se forcat ukrainase kanë përparuar “mes dy dhe disa dhjetëra kilometrave” përgjatë vijës së frontit.

Në lindje, vëzhguesit mendojnë se Ukraina po mundohet që ta marrë nën kontroll qytetin Kupiansk dhe të rrethojë ngadalë mijëra trupa ruse afër qytetit tjetër, Izyum.

“Po lëvizim përpara. Dimë qartazi se për çfarë po luftojmë dhe ne do të fitojmë përfundimisht”, shkroi në “Facebook” gjenerali Valeriy Zaluzhnyi.

Duke folur në adresimin e tij të zakonshëm të mbrëmjes, presidenti Volodymyr Zelensky tha se forcat ukrainas “po e marrin gradualisht kontrollin në vendbanime të reja” dhe “po i kthejnë flamurin e mbrojtjen ukrainase për tërë popullin”.

Të premten, një zyrtar i emëruar nga Rusia në rajonin Kharkiv pranoi se forcat ukrainase kanë shënuar një “fitore të konsiderueshme”.

“Vetë fakti i prishjes së mbrojtjeve tona tashmë është fitore substanciale për forcat e armatosura ukrainase”, tha në televizionin shtetëror Vitaly Ganchev.

Kremlini deri më tani ka refuzuar që ta komentojë ecurinë e ofensivës, por Ministria e Mbrojtjes e Rusisë publikoi një video në të cilën pretendoi se shfaqet lëvizja e trupave drejt Kharkiv-it.

Duke folur në Bruksel të premten, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se sulmi ukrainas “po bën përparim në mënyrë të demonstrueshme”.

Lajme të ngjashme