Forcat ruse kryejnë sulm vdekjeprurës me dronë gjatë natës në Kharkiv të Ukrainës - NACIONALE

Forcat ruse kryejnë sulm vdekjeprurës me dronë gjatë natës në Kharkiv të Ukrainës

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Një sulm i përqendruar 9-minutësh me dronë nga forcat ruse ndaj qytetit të dytë më të madh në Ukrainë, Kharkiv, në mesin e natës la të vrarë tre njerëz dhe lëndoi 64 të tjerë, përfshirë nëntë fëmijë, thanë të mërkurën zyrtarët ukrainas.

Sulmi gjatë natës erdhi pas dy sulmeve më të mëdha ajrore të Rusisë në Ukrainë këtë javë që nga fillimi i luftës, pjesë e bombardimeve të shpeshtuara për të cilat Moska ka thënë se janë masa hakmarrëse për sulmet e fundit të Kievit në Rusi, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Sulmet intensive me 17 dronë ndaj Kharkivit shkaktuan zjarre në 15 njësi të një ndërtese 5-katëshe të banimit dhe dëme të tjera në qytetin që ndodhet afër kufirit rus, tha kryetari Ihor Terekhov.

“Ka goditje të drejtpërdrejta ndaj ndërtesave shumëkatëshe, shtëpive private, këndeve të lojërave, ndërmarrjeve dhe transportit publik” – shkroi në rrjetin “Telegram” kryetari i qytetit.

Një dëshmitar i agjencisë “Reuters” pa punëtorë të shpëtimit duke nxjerrë njerëz nga ndërtesat e dëmtuara dhe duke u ofruar kujdes, ndërsa zjarrfikësit po luftonin kundër zjarreve natën.

Nëntë nga të lënduarit, përfshirë një vajzë 2-vjeçare dhe një djalë 15-vjeçar, janë dërguar në spital, tha në rrjetin “Telegram” guvernatori i rajonit të Kharkivit, Oleh Sinehubov.

Ushtria ukrainase tha se Rusia kishte hedhur gjithsej 85 dronë gjatë natës së kaluar, 40 prej të cilëve u rrëzuan nga mbrojtja ajrore.

Nëntë të tjerë u humbën – që do të thotë se ushtria ukrainase përdori pajisje elektronike të luftës për t’ua ndryshuar drejtimin atyre – ose ishin vetëm dronë të rremë, pa lëndë shpërthyese./Nacionale

Lajme të ngjashme