Forcat paramilitare në Sudan akuzohen për vrasjen e gati 300 njerëzve
Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), paramilitarë që po luftojnë kundër ushtrisë sudaneze nga viti 2023, kanë vrarë gati 300 njerëz gjatë sulmeve në rajonin e Kordofanit Verior që filluan të shtunën, sipas disa aktivistëve sudanezë.
RSF-ja ka qenë duke luftuar kundër ushtrisë sudaneze në zonë, njëra nga vijat kyçe të frontit në luftën civile në Sudan që nisi në prillin e vitit 2023, raporton gazeta “The Guardian”.
Grupi për të drejtat e njeriut “Avokatët Emergjentë” tha të hënën se RSF-ja sulmoi disa fshatra të shtunën përreth qytetit Bara, i cili është nën kontrollin e paramilitarëve.
Sipas këtij grupi, më shumë se 200 njerëz u vranë në fshatin Shag Alnom dhe 46 të tjerë – përfshirë gra shtatzëna e fëmijë – në Hilat Hamid. Nga aksionet plaçkitëse në fshatra të tjera u vranë 38 civilë dhe dhjetëra të tjerë u zhdukën, thanë “Avokatët Emergjentë”.
Më shumë se 3 mijë e 400 njerëz kanë ikur nga luftimet e fundit, sipas Kombeve të Bashkuara.
“Është dëshmuar se këto fshatra të vëna në shënjestër ishin tërësisht pa ndonjë objektiv ushtarak, gjë që e bën të qartë natyrën kriminale të këtyre krimeve të kryera me shpërfillje të plotë ndaj të drejtës humanitare ndërkombëtare” – thanë “Avokatët Emergjentë”, duke ia lënë përgjegjësinë udhëheqjes së RSF-së.
Ushtria sudaneze i ka vënë nën kontroll të prerë pjesët qendrore dhe lindore të Sudanit, ndërsa RSF-ja po përpiqet që ta forcojë kontrollin në rajonet perëndimore, përfshirë Kordofanin Verior.
Gjatë luftimeve të së premtes së kaluar, të cilat zgjatën disa orë, RSF-ja kapi një treg gjedhesh, një burg dhe një bazë ushtarake në El Fasher dhe forcat e saj hynë në qendër të qytetit. Ushtria sudaneze e dëboi grupin paramilitar të nesërmen, por RSF-ja vazhdoi që ta sulmonte qytetin duke përdorur dronë./Nacionale