Forcat izraelite i shtojnë bombardimet në Rafah, tanket lëvizin edhe më thellë
Pa shenja të përparimit në përpjekjet e ndërmjetësve për të arritur një armëpushim në luftën e Gazës, forcat izraelite e goditën qytetin Rafah nga ajri dhe toka natën e kaluar, ndërsa tanket u munduan që të avanconin më tutje drejt perëndimit, thanë banorët.
Po zhvilloheshin edhe beteja të ashpra me pushkë mes trupave izraelite dhe luftëtarëve palestinezë të udhëhequr nga Hamasi, raporton agjencia “Reuters”.
Banorët thanë se tanket që e kanë marrë kontrollin përgjatë vijës kufitare me Egjiptin bënë disa lëvizje drejt perëndimit dhe në qendër të qytetit jugor të Gazës, duke plagosur disa banorë që ishin ngujuar brenda shtëpive të tyre dhe ishin zënë në befasi.
“Mendoj se forcat e pushtimit [izraelite] po mundohen që të arrijnë në zonën e plazhit të Rafahut, bastisjet dhe bombardimi gjatë natës ishin taktike, ata hynë nën zjarr të ashpër para se të tërhiqeshin” – tha një burrë palestinez.
“Ishte njëra nga netët më të këqija, disa njerëz u plagosën brenda shtëpive të tyre, para se të evakuoheshin këtë mëngjes” – shtoi ai.
Krahët e armatosur të Hamasit, Xhihadi Islam dhe grupe të tjera më të vogla raportuan se luftëtarët e tyre kryen sulme kundër forcave pushtuese izraelite në disa zona në qendër dhe jug të enklavës.
Ndërmjetësit nga Katari dhe Egjipti, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, i kanë shtuar përpjekjet për të arritur një marrëveshje armëpushimi me të cilën do të ndaleshin armiqësitë dhe do të liroheshin pengjet izraelite e një numër i palestinezëve të burgosur nga Izraeli, por burime të afërta me negociatat thanë se nuk ka shenja të ndonjë përparimi të konsiderueshëm.