Forcat izraelite e vrasin sulmuesin palestinez
Forcat izraelite të sigurisë të premten herët ndoqën dhe vranë një burrë palestinez, i cili kishte hapur zjarr në një kafene me plot njerëz në pjesën qendrore të Tel Avivit, duke vrarë dy persona dhe duke plagosur më shumë se dhjetë të tjerë.
Ky është sulmi i katërt vdekjeprurës në Izrael nga palestinezët në katër javët e fundit dhe ndodhi në kohën e tensioneve të larta në fillim të muajit të shenjtë për myslimanët, Ramazanit. Mijëra palestinezë nga Bregu Perëndimor pritet që të hyjnë në Jerusalem për lutjet e para të së premtes në Ramazan në xhaminë “Al-Aqsa”.
Kryeministri i Izraelit, Naftali Bennett, u takua me zyrtarë të lartë të sigurisë dhe njoftoi se një pikëkalim i rëndësishëm kufitar në veri të Bregut Perëndimor, afër vendlindjes së sulmuesit, do të mbyllet për kohë të pacaktuar, raporton agjencia "Associated Press", përkthen "Nacionale".
Megjithatë, duket se Izraeli do ta vazhdojë zbatimin e planeve për t’i lejuar gratë, fëmijët dhe burrat e moshuar palestinezë që të hyjnë në Jerusalem për ta kryer faljen. Protestat dhe përleshjet në qytetine shenjtë Ramazanin e kaluar shkaktuan një luftë 11-ditore.
“Ne do t’i zgjerojmë veprimet tona kundër valës së terrorizmit përmes sulmit, mbrojtjes dhe inteligjencës. Çmimi që do ta nxjerrim nga sulmuesit dhe nga ata që i dërgojnë ata, do të jetë i lartë”, tha ministri izraelit i Mbrojtjes, Benny Gantz.
Fundjava në Izrael fillon të enjten në mbrëmje dhe zona ku ndodhi sulmi ishte e mbushur me njerëz në kafene dhe restorante. Në videot e publikuara në rrjetet sociale, dhjetëra njerëz të tmerruar u panë duke vrapuar rrugëve, ndërsa policia po e kërkonte sulmuesin dhe i urdhëroi njerëzit që të qëndrojnë brenda shtëpive dhe banesave.