FMN-ja paralajmëron brishtësi të mëtejme të rritjes globale ekonomike, pret tkurrje në Gjermani - NACIONALE

FMN-ja paralajmëron brishtësi të mëtejme të rritjes globale ekonomike, pret tkurrje në Gjermani

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Fondi Monetar Ndërkombëtar të martën e uli pak parashikimin për rritje globale për vitin 2023, pasi shkallët më të larta të interesit e qetësojnë aktivitetin, por paralajmëroi se një shpërthim i ashpër i trazirave të sistemit financiar mund ta zvogëlojë rritjen deri afër nivelit të recesionit.

FMN-ja tha në raportin më të ri për gjendjen ekonomike globale se problemet në sistemin bankar janë frenuar nga veprimet e fuqishme në politika pas dështimit të dy bankave rajonale amerikane dhe shkrirjes së detyrueshme të bankës “Credit Suisse”. Megjithatë, trazira shtroi një shtresë tjetër të pasigurisë mbi inflacionin e lartë dhe pasojat e luftës së Rusisë në Ukrainë, raporton agjencia “Reuters”.

“Me rritjen e fundit në paqëndrueshmërinë e tregut financiar, mjegulla përreth perspektivës ekonomike botërore është trashur”- thuhet në raport.

“Pasiguria është e lartë dhe baraspesha e rreziqeve ka ndryshuar prerazi për teposhtë aq gjatë, saqë sektori financiar mbetet i ndryshueshëm”- shtohet më tej.

FMN-ja tani parashikon që rritja reale e prodhimit vendës bruto të jetë 2,8 për qind për vitin 2023 dhe 3,0 për qind për vitin 2024, duke shënuar rënie të ndjeshme nga 3,4 për qind më 2022 për shkak të politikave më të ashpra monetare.

Parashikimet për rritjen e prodhimit vendës për këta dy vjet u ul për 0,1 për qind në krahasim me vlerësimin e bërë në janar, pjesërisht për shkak të performancave më të dobëta në disa ekonomi më të mëdha si dhe pritjeve për ashpërsim të mëtejmë monetar për ta luftuar inflacionin e vazhdueshëm.

Parashikimi i FMN-së për rritjen ekonomike në ShBA u përmirësua pak – 1,6 për qind në krahasim me 1,4 për qind, sa u vlerësua në janar, pasi tregjet e punës mbeten të fuqishme. Megjithatë, FMN-ja e uli rritjen e parashikuar në disa ekonomike të mëdha, përfshirë Gjermaninë, ku pritet që ekonomia të tkurret për 0,1 për qind.

“Këshilla jonë është që politikat monetare të mbeten të përqendruara në uljen e inflacionit”- tha kryeekonomisti i FMN-së, Pierre-Olivier Gourinchas.

Lajme të ngjashme