Fjeti te shoku dhe shpëtoi, por Ibrahimit i vritet familja 8-anëtarëshe nga sulmi në Rafah - NACIONALE

Fjeti te shoku dhe shpëtoi, por Ibrahimit i vritet familja 8-anëtarëshe nga sulmi në Rafah

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Shtëpia e Ibrahim Hasouna-s u shndërrua në rrënoja nga sulmet ajrore të aeroplanëve izraelitë në Rafah të Gazës, që u përdorën si mburojë për ushtarët izraelitë që shpëtuan dy pengje në një pjesë tjetër të qytezës.

Tërë familja e tij u vra: nëna e babai, dy vëllezërit, si dhe bashkëshortja e tre fëmijët e njërit vëlla, raporton agjencia “Associated Press”.

“Tash po flas me ju në mes të rrënojave, mes pjesëve të familjes sime dhe rrobave të tyre. Po i nxirrja ata dhe i pashë mbetjet e shtëpisë sonë që të mbaj diçka që ma kujton familjen” – tha i riu palestinez.

Ibrahimi dhe familja e tij ishin vendosur në Rafah para një muaji, lëvizja më e re e disa zhvendosjeve të tyre gjatë ikjes nga luftimet, pas largimit nga shtëpia në veri të Gazës.

Natën e bombardimeve, Ibrahimi shkoi për vizitë te një shok në pjesën tjetër të Rafah-s. Shoku e bindi që të qëndronte e të flinte atje.

“Eca në këmbë nga zona e detit deri në spitalin “Abu Yousef al-Najjar” që të merrja vesh nëse familja ime ishte gjallë apo vdekur. Pjesa e parë arriti me të gjitha pjesët e trupave të bërë copë-copë” – rrëfen ai.

“I identifikova ata, pasi nuk ishin identifikuar në spital dhe askush nuk dinte se kush ishin. Në mëngjes, kur gjërat u qetësuan, erdha këtu për të nxjerrë më shumë pjesë të tyre” – shtoi Ibrahimi.

Izraeli ka thënë se bombardimi ishte për t’i mbuluar trupat e tij, përderisa ata nxorën dy izraelitë nga një banesë ku po mbaheshin si pengje.

Autoritetet izraelite e fajësojnë Hamasin për viktimat civile përmes operimit në zemër të zonave të banimit.

Lajme të ngjashme