Fitorja e populistit Wilders në Holandë, lajm i keq edhe për Ukrainën - NACIONALE

Fitorja e populistit Wilders në Holandë, lajm i keq edhe për Ukrainën

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Me një qëndrim të së djathtës ekstreme kundër BE-së, fitorja e holandezit Geert Wilders në zgjedhje mund t’i nënkuptojë fundin e ndihmave për Ukrainën dhe një pengesë të pashembullt për BE-në dhe politikat e saj të gjata, raporton gazeta më e vjetër ukrainase në gjuhën angleze, “Kyiv Post”.

Si figurë e ashpër kundër BE-së që bën thirrje për “Holandë sovrane”, kryetari i Partisë për Liri, Geert Wilders, i fitoi zgjedhjet në Holandë dhe siguroi 37 ulëse në Kuvend.

Ai dhe partia e tij garuan me parullën kundër imigrantëvekundër myslimanëve në veçanti – dhe e refuzuan idenë e një organi të vetëm evropian, duke mbrojtur, në vend të tij, një “Holandë që i ka mbi vete valutën e vet, kufijtë e vet dhe që i bën rregullat e veta”.

Në kohën kur bisedimet e Ukrainës me BE-në për anëtarësim pritet të fillojnë së shpejti, fitorja e holandezit mund të jetë bllok pengues për gjasat e Ukrainës për të siguruar terren në negociatat në vijim.

Holanda ka qenë, gjithashtu, njëra nga partneret më të mëdha ushtarake të Ukrainës që nga fillimi i pushtimit rus.

Holanda – bashkë me Danimarkën – ishte e para që i ofroi aeroplanë luftarakë F-16 Ukrainës, veprim që mund t’i ndryshojë në mënyrë drastike dinamikat e fushës së betejës, përderisa lufta po bëhet ngërç, nëse nuk arrihet ndonjë hap i madh teknik, siç ja deklaruar më herët komandanti i ushtrisë ukrainase.

Duke pasur parasysh që Wilders-i dhe aleatët e tij për një kohë të gjatë e kanë kundërshtuar ndihmën ushtarake për Ukrainën, fitorja e tyre mund ta prekë edhe aftësinë e këtij shteti për t’u mbrojtur kundër Rusisë. Megjithatë, rrethanat për ndihmë ushtarake mbeten të paqarta, sepse PVV-ja ende ka nevojë për të formuar koalicion dhe asnjëra nga partitë e tjera nuk e kundërshtojnë mbështetjen ushtarake për Ukrainën.

Një skenar i mundshëm mund të jetë vazhdimi i ofrimit të ndihmave ushtarake e financiare nga Holanda për Ukrainën, por në shkallë më të ulët, thekson gazeta ukrainase.

Ndonëse Wilders-i më parë e ka dënuar pushtimin rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, ai gjithashtu ka thënë se Perëndimi është dashur ta bllokojë mundësinë e anëtarësimit të Ukrainës në NATO.

Në një shkrim të publikuar në rrjetin X më 24 shkurt 2022, ditën kur kishte nisur pushtimi i plotë rus i Ukrainës, Wilders-i e kishte kundërshtuar ndihmën ushtarake për këtë shtet, duke thënë: “Mos i lini amvisëritë holandeze ta paguajnë çmimin për një luftë që nuk është e jona.”

Fitorja e tij është më e reja në një varg fitoresh të politikanëve me qëndrime anti-perëndimore, pas fitores së populistit pro-rus, Robert Fico, në zgjedhjet e Sllovakisë.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme