Fitore për Rusinë: Tërhiqen forcat ukrainase, bie Avdiivka - NACIONALE

Fitore për Rusinë: Tërhiqen forcat ukrainase, bie Avdiivka

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ushtria ukrainase ka thënë se i ka tërhequr trupat e veta nga Avdiivka, qytezë kyçe në lindje që për disa muaj ishte e rrethuar nga forcat ruse.

Komandanti i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskyi, tha se veproi “për ta shmangur rrethimin dhe për t’ ruajtur jetën dhe shëndetin e personelit”. Ai shtoi se trupat janë vendosur në “vija më të favorshme”.

Zëvendësi i tij tha se rusët kishin përparësi të madhe në artileri dhe po avanconin “mbi kufomat e ushtarëve të tyre”, raporton televizioni BBC.

Në Avdiivka – portë drejt qytetit të kapur nga rusët, Donetsk – kishte luftime të ashpra me muaj dhe tani është shkatërruar pothuajse tërësisht.

Rënia e këtij vendbanimi e shënon ndryshimin më të madh në vijën e frontit më të gjatë se një mijë kilometra që nga rënia e qytezës Bakhmut në maj të vitit të kaluar.

Në një deklaratë të publikuar në rrjete sociale të shtunën, komandanti i ushtrisë ukrainase tha se vendimi i tij është mbështetur në “situatën operacionale përreth Avdiivka-s”.

“Ushtarët tanë e kryen detyrën e tyre ushtarake me dinjitet, bënë gjithçka të mundshme për t’i shkatërruar njësitet më të mira ruse, i shkaktuan humbje të konsiderueshme armikut në aspektet e fuqisë njerëzore dhe pajisjeve” – shtoi ai.

Shtetet e Bashkuara kishin paralajmëruar se Rusia mund ta merrte nën kontroll qytezën kyçe në lindje të Ukrainës, Avdiivka – skenë e disa prej luftimeve më të ashpra në luftë muajve të fundit.

“Avdiivka është në rrezik nga rënia në kontrollin rus” – kishte thënë para pak ditëve zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të ShBA-së, John Kirby, duke e përmendur mungesën e municionit në ushtrinë ukrainase, raporton televizioni BBC.

Ukraina varet në mënyrë kritike nga furnizimi me armë nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatë të tjerë perëndimorë që të mund ta vazhdojë luftën kundër Rusisë – forcë shumë më e madhe ushtarake me municion të bollshëm artilerie.

Më herët këtë javë, Senati i ShBA-së miratoi një pako të ndihmave të jashtme me vlerë të 95 miliardë dollarëve, përfshirë 60 miliardë dollarë për Ukrainën, por projektligji duhet të miratohet edhe nga Dhoma e Përfaqësuesve, ku shumicën e ulëseve e ka Partia Republikane në opozitë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, paralajmëroi të enjten se dështimi i ShBA-së për të miratuar asistencë të vazhdueshme ushtarake për Ukrainën tashmë është duke pasur një ndikim në fushën e betejës.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme