Finlanda shkon drejt anëtarësimit në NATO përkundër kërcënimeve të Rusisë
Udhëheqësit e Finlandës dolën të enjten në favor të aplikimit për t'u bashkuar me NATO-n dhe Suedia mund të bëjë të njëjtën gjë brenda disa ditësh, në një riorganizim historik në kontinent, që vjen 2 muaj e gjysmë pas pushtimit të Ukrainës nga presidenti rus Vladimir Putin.
Kremlini ka paralajmëruar se në rast të bashkimit me NATO-n, do të detyrohet të ndërmarrë hapa hakmarrës “ushtarako-teknikë”.
Presidenti dhe kryeministri i Finlandës njoftuan se vendi nordik duhet të aplikojë menjëherë për anëtarësim në NATO, pakti i mbrojtjes ushtarake i themeluar pjesërisht për të kundërshtuar Bashkimin Sovjetik.
Njoftimi do të thotë se Finlanda është e sigurt se do të aplikojë - dhe do të pranohet - megjithëse procesi mund të marrë muaj për të përfunduar. Suedia, gjithashtu është vendi tjetër që po shqyrton aplikimin për anëtarësim.
Associated Press shkruan se, bashkimi i dy vendeve me NATO-n, do të përfaqësonte një ndryshim të madh në peizazhin e sigurisë së Evropës: Suedia i ka shmangur aleancat ushtarake për më shumë se 200 vjet, ndërsa Finlanda adoptoi neutralitetin pas disfatës së saj nga sovjetikët në Luftën e Dytë Botërore.
Një zgjerim i tillë i aleancës do ta linte Rusinë të rrethuar nga vendet e NATO-s në Detin Baltik dhe Arktik dhe do të përbënte një pengesë therëse për Putinin, i cili kishte shpresuar të ndante dhe të kthente mbrapsht NATO-n në Evropë, por në vend të kësaj po sheh të ndodhë saktësisht e kundërta.
Ministria e Jashtme e Rusisë paralajmëroi se vendi “do të detyrohet të ndërmarrë hapa hakmarrës të karakteristikave ushtarako-teknike dhe të tjera për të kundërshtuar kërcënimet e reja ndaj sigurisë së tij kombëtare”.
Dorëzimi i armëve dhe mbështetjes tjetër ushtarake të NATO-s për Ukrainën tashmë ka qenë kritike për suksesin befasues të Kievit në frenimin e pushtimit dhe Kremlini paralajmëroi sërish me terma ogurzi të enjten se ndihma mund të çojë në konflikt të drejtpërdrejtë midis NATO-s dhe Rusisë.
“Gjithmonë ekziston rreziku që një konflikt i tillë të kthehet në një luftë bërthamore në shkallë të plotë, një skenar që do të jetë katastrofik për të gjithë”, tha Dmitry Medvedev, nënkryetar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë.
E ndërsa avancimi i Rusisë në Donbas ka qenë i ngadaltë, ushtria e Ukrainës vuri në dukje se Moska ka arritur "sukses të pjesshëm". Zyrtarët perëndimorë thanë se Rusia ka fituar terren dhe ka marrë disa fshatra.
Shpërthime u dëgjuan të enjten edhe pranë qytetit Bakhmut, një zonë e Donbasit që ka përjetuar luftime të ashpra, dhe ushtria ukrainase tha se forcat ruse po sulmonin dy fshatra atje.
Ministria e Mbrojtjes e Britanisë tha se përqendrimi i Rusisë në Donbas i ka lënë trupat e saj të mbetura rreth qytetit verilindor të Kharkivit të prekshme ndaj kundërsulmit nga forcat ukrainase, të cilat rimorën disa fshatra përreth qytetit.
Megjithatë, sulmet me raketa ruse të enjten vranë një person dhe plagosën tre të tjerë në një periferi të Kharkiv, tha guvernatori rajonal.
Ukraina tha gjithashtu se forcat ruse kishin gjuajtur me artileri dhe granatahedhës ndaj trupave ukrainase në drejtim të Zaporizhzhia, e cila ka qenë një strehë për civilët që ikin nga Mariupoli dhe kanë sulmuar rajonet Chernihiv dhe Sumy në veri.
Sipas mediave lokale, sulmet ajrore gjatë natës në Chernihiv kanë vrarë tre perona. Ndërsa, guvernatori rajonal tha se sulmet në qytetin Novhorod-Siverskyi dëmtuan një shkollë, një konvikt dhe një ndërtesë administrative.
Në portin jugor të Mariupolit, i cili kryesisht është nën rrënoja me pak ushqim, ujë ose ilaçe për banorët e tij, Ukraina ofroi lirimin e të burgosurve rusë të luftës në këmbim të evakuimit të sigurt të luftëtarëve të plagosur rëndë të bllokuar brenda fabrikës së çelikut Azovstal. Megjithatë, Rusia nuk ka rënë ende dakord për një hap të tillë.