“Financial Times”: Ukraina e gatshme që të flasë me Rusinë për Krimenë, nëse arrin deri te kufiri i saj - NACIONALE

“Financial Times”: Ukraina e gatshme që të flasë me Rusinë për Krimenë, nëse arrin deri te kufiri i saj

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Gazeta e njohur britanike, “Financial Times”, e ka publikuar atë që e ka cilësuar “deklarata më e qartë për interesin e Ukrainës në bisedime” që nga ndërprerja e tyre vitin e kaluar, duke thënë se është e gatshme për ta diskutuar të ardhmen e Krimesë.

Në një intervistë për këtë gazetë, Andriy Sybiha, zëvendësshef i zyrës së Zelenskyt, tha: “Nëse ne do të arrijmë sukses për plotësimin e qëllimeve tona strategjike në fushën e betejës dhe kur do të jemi në kufirin administrativ me Krimenë, jemi të gatshëm që të hapim një faqe diplomatike për ta diskutuar këtë çështje.”

Megjithatë, ai shtoi: “Kjo nuk nënkupton që ne e përjashtojmë rrugën e çlirimit (të Krimesë) nga ushtria jonë”, përcjell gazeta “The Guardian”.

Deklarata e Sybiha-s mund t’i lehtësojë zyrtarët perëndimorë, të cilët janë skeptikë për aftësinë e Ukrainës që ta rimarrë gadishullin dhe të cilët brengosen se çfarëdo përpjekje për ta bërë këtë ushtarakisht do të mund ta nxiste presidentin rus, Vladimir Putin, që ta eskalojë luftën, me mundësi për përfshirjen e armëve bërthamore. Deri më tani, Zelensky i ka përjashtuar bisedimet e paqes derisa forcat ruse të largohen nga tërë territori i Ukrainës, përfshirë Krimenë, raporton gazeta “Financial Times”.

Sybiha është diplomat veteran, i cili përqendrohet në politikën e jashtme në zyrën e presidentit dhe ka qenë në anën e Zelenskyt gjatë momenteve kyçe në luftë.

Ai tha se presidenti ukrainas dhe ndihmësit e tij tani po flasin në mënyrë specifike për Krimenë, kur ushtria ukrainase po i afrohet kohës për fillimin e kundërofensivës për të rimarrë territore nën kontroll.

Lajme të ngjashme