“Financial Times”: Trumpi e pyeti Zelenskyn nëse Ukraina do të mund ta godiste Moskën - NACIONALE

“Financial Times”: Trumpi e pyeti Zelenskyn nëse Ukraina do të mund ta godiste Moskën

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka inkurajuar privatisht Ukrainën që t’i shtojë sulmet thellë në territorin rus, madje duke e pyetur homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky, nëse forcat e tij do të mund ta godisnin Moskën, nëse ShBA-ja do t’u ofronte armë me rreze të gjatë, raportoi të martën gazeta “Financial Times”.

Gazeta e njohur, duke cituar dy persona të afërt me bisedën, tha se Trumpi bisedoi me homologun ukrainas në një telefonatë më 4 korrik, një ditë pasi kishte folur me presidentin rus, Vladimir Putin. Kjo bisedë shënon ndryshim të madh të qëndrimit të mëparshëm të Trumpit ndaj Rusisë dhe premtimit të tij për t’i dhënë fund përfshirjes së ShBA-së në konflikte të huaja.

Përderisa mbetet e paqartë nëse Uashingtoni do të dhurojë armë të tilla, diskutimi mes dy presidentëve e nënvizon zemërimin në rritje të Trumpit me refuzimin e Putinit për t’u angazhuar në bisedime të paqes të propozuara nga presidenti amerikan, i cili dikur ishte zotuar se do ta zgjidhte luftën brenda një dite.

Dy persona të afërt me bisedën mes Trumpit dhe Zelenskyt thanë se presidenti amerikan e kishte pyetur homologun ukrainas nëse do të mund të godiste caqe ushtarake thellë brenda Rusisë, nëse ai do t’i ofronte armë që mund të bëjnë një gjë të tillë.

“Volodymyr, a mund ta godasësh Moskën?... A mund ta godasësh Shën Petersburgut, gjithashtu” – e pyeti Trumpi presidentin ukrainas gjatë telefonatës, sipas këtyre dy personave.

Zelensky iu përgjigj: “Absolutisht. Ne mundemi, nëse ju na i jepni armët.”

Trumpi e sinjalizoi mbështetjen e tij për këtë ide, duke e përshkruar qëllimin e strategjisë si “të bëhet që ata (rusët) ta ndiejnë dhimbjen” dhe të detyrohet Kremlini që të ulet në tavolinën e bisedimeve, sipas dy personave me njohuri rreth telefonatës.

Një zyrtar perëndimor, i cili ishte njoftuar për bisedën telefonike, tha se ajo pasqyron një dëshirë në rritje në mesin e partnerëve perëndimorë të Ukrainës për t’i dhuruar armë me rreze të gjatë që mund “ta dërgojnë luftën te moskovitët” – sentiment që i është dhënë jehonë privatisht edhe nga zyrtarët amerikanë javëve të fundit.

Shtëpia e Bardhë dhe Zyra e Presidentit të Ukrainës nuk iu përgjigjën kërkesave për koment./Nacionale

Lajme të ngjashme