Fillon hyrja e cisternave me karburante nga Egjipti në Gaza - NACIONALE

Fillon hyrja e cisternave me karburante nga Egjipti në Gaza

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Të paktën shtatë cisterna me karburante hynë të premten nga Egjipti në Gaza, sipas një korrespondenti të televizionit CNN në terren, pasi pauza 4-ditore e luftimeve mes Izraelit dhe Hamasit duket se po respektohet në orët e para.

Edhe kamionët me ndihma duket se filluan të lëviznin drejt Gazës në pikëkalimin kufitar në Rafah, sipas transmetimit të drejtpërdrejtë të agjencisë “Reuters”.

Një kolonë e gjatë e kamionëve me ndihma ishte në pritje në këtë pikëkalim para hyrjes në fuqi të pauzës 4-ditore të luftimeve, e cila duket se hyri në fuqi nga ora 7 e mëngjesit të premten sipas kohës lokale.

Bashkërenduesi i Veprimeve Qeveritare në Territore i Izraelit tha në një deklaratë se katër cisterna me naftë dhe katër cisterna me gaz për gatim hynë në Gaza përmes pikëkalimit në Rafah.

“Nafta dhe gazi për gatim janë me qëllim të funksionimit të infrastrukturës themelore humanitare në Gaza” dhe u miratuan nga qeveria izraelite si pjesë e armëpushimit, shtoi ky bashkërendues.

Nuk është saktësisht e qartë se cilat lloje të tjera të ndihmave janë lejuar deri më tani që të hyjnë në Rripin e Gazës.

Lajme të ngjashme