Fëmijë po vdesin nga lia e majmunit në Kongo, thuhet se mund të përhapet në botë
Një lloj i rrezikshëm i lisë së majmunit që po vret fëmijë dhe po shkakton dështim të shtatzënësive në Republikën Demokratike të Kongos është më i transmetueshmi deri më tani dhe mund të përhapet në nivel ndërkombëtar, kanë paralajmëruar shkencëtarët.
Virusi duket se po përhapet nga një person te tjetri edhe përmes kontaktit seksual, edhe përmes atij joseksual, në vende të ndryshme nga shtëpitë publike te shkollat, raporton gazeta “The Guardian”.
Qindra persona me këtë sëmundje janë paraqitur në spital në qytezën Kamituga të provincës së Kivut Jugor, në atë që me gjasë është “maja e iceberg-ut” e një përhapjeje më të madhe, thonë mjekët.
Lia e majmunit është virus nga familja e njëjtë si lia e rëndomtë dhe shkakton simptoma të ngjashme me ato të gripit si dhe fluska të mbushura me qelb në lëkurë.
Para dy vjetëve, një përhapje e lisë së majmunit në Evropë dhe ShBA, e përqendruar në komunitetin e homoseksualëve, e kishte nxitur Organizatën Botërore të Shëndetësisë që të shpallte situatë emergjente të shëndetit publik.
Hulumtuesit besojnë se përhapja e re nisi në një kafene që përdoret nga punëtorët e seksit. Në një konferencë për gazetarë, Trudie Lang, profesoreshë e shëndetit global në Universitetin e Oksfordit, tha se kur përhapja në Kongo ishte zbuluar në shtatorin e vitit të kaluar, shkencëtarët kishin supozuar se do të ishte e grupit II, për shkak të transmetimit me kontakt seksual, ndërsa testimi gjenetik kishte zbuluar se sëmundja i përkiste llojit më të transmetueshëm.
Lang tha se ishte situatë “tepër shqetësuese”. Përderisa vaksinat dhe trajtimet kundër lisë së rëndomtë kishin ndihmuar për ta vënë nën kontroll përhapjen e vitit 2022, ato deri më tani nuk janë në dispozicion në Republikën Demokratike të Kongos.
Kivuja Jugore është në kufi me Burundin dhe Ruandën dhe afër Ugandës dhe atje ka udhëtime të shpeshta matanë kufijve nga banorët lokalë.
Profesoresha Lang tha se është e paqartë se sa raste pa simptoma janë deri më tani, pasi koha e gjatë e inkubimit të virusit e rrit rrezikun e përhapjes para se njerëzit të marrin vesh se janë të sëmurë./Nacionale