Evropa Veriore përgatitet për një stuhi të fuqishme, një shtet pritet të goditet më fort - NACIONALE

Evropa Veriore përgatitet për një stuhi të fuqishme, një shtet pritet të goditet më fort

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Autoritetet në shtetet e Evropës Veriore bënë thirrje për vigjilencë të premten, përderisa rajoni po përgatitet për reshje të dendura shiu e erëra të fuqishme nga lindja si pjesë e një stuhie të ashpër.

Erërat e fuqishme pritet të godasin më shumë në pjesën lindore të Gadishullit të Jutlandit në Danimarkë dhe në ishujt danezë në Detin Baltik. Megjithatë, edhe ishujt britanikë, pjesa jugore e Suedisë, pjesa veriore e Gjermanisë e disa pjesë të Norvegjisë janë në zonën ku pritet të ndodhë stuhia, që nga Zyra e Meteorologjisë e Britanisë është emërtuar “Babet”, raporton agjencia “Associated Press”.

“Ndoshta do të jetë një lloj i ngjarjes historike, por do të duhet të presim derisa të përfundojë dhe të shohim nëse do të jetë ngjarje 2-vjeçare apo 100-vjeçare”- tha Hans Peter Wandler nga Instituti Meteorologjik i Danimarkës.

Të enjten, zyrtarët britanikë lëshuan paralajmërim të rrallë me ngjyrë të kuqe - që është niveli më i lartë i paralajmërimit për motin – për disa pjesë të Skocisë, duke parashikuar “reshje të jashtëzakonshme shiu” gjatë dy ditëve të ardhshme që pritet të shkaktojnë vërshime të gjera dhe “rrezik për jetën nga uji i i thellë i vërshimeve ose uji me rrjedhje të shpejtë”. Hera e fundit kur në Briani ishte lëshuar paralajmërim i kuq për motin ishte në vitin 2020.

Policia në jug të Danimarkës – rajon që pritet të goditet më së shumti nga stuhia – tha se një numër i segmenteve rrugore në zona të ulëta janë vërshuar dhe se disa drurë janë rrëzuar.

Duke e cituar Institutin e Meteorologjisë të Danimarkës, që lëshoi paralajmërim për “mot shumë të rrezikshëm” – niveli më i lartë paralajmërues – policia në jug të Danimarkës tha se niveli i ujit do të vazhdojë të rritet. Niveli i ujit në disa pjesë të ujërave të brendshme daneze pritet të rritet për deri në 2,4 metra mbi normalen.

Në Suedinë fqinje, meteorologët paralajmëruan për rrezikun nga vërshimet e gjera, të cilat mund të shkaktojnë qasje të kufizuar në rrugë dhe hekurudha përgjatë bregdetit jugor. Sidoqoftë, meteorologët suedezë thanë se niveli i ujit pritet të fillojë që të bjerë përsëri nga mëngjesi i së shtunës.

Një urë afër qytetit të dytë më të madh norvegjez, Bergen, u mbyll si masë parandaluese, raporton gazeta “Bergens Tidende”. Qarkullimi i trageteve në rajon është anuluar, ndërsa trafiku ajror ka pasur pengesa, duke rezultuar në shtyrje të fluturimeve e anulime të disave prej tyre.

Lajme të ngjashme