Evropa dhe Kanadaja bëhen me kufi tokësor
Kanadaja dhe Danimarka më në fund i kanë dhënë fund "luftës" së tyre prej dekadash në ishullin e pabanuar në Arktikun e lartë.
Të dy vendet nënshkruan zyrtarisht një marrëveshje për të ndarë ishullin Hans në Grenlandën veriperëndimore, duke krijuar kufirin e parë tokësor midis Kanadasë dhe Evropës, në një ceremoni në Otava ku morën pjesë ministrja e jashtme kanadeze dhe homologu i saj danez.
Pas një ngërçi prej 49 vitesh, ishulli në formë veshkash të ndarë në dysh midis Otavës dhe Kopenhagës do të mbahet si një model për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve territoriale në mbarë botën.
“Arktiku shërben si një fener i bashkëpunimit ndërkombëtar, ku sundimi i ligjit mbizotëron”, tha Ministrja e Jashtme kanadeze Mélanie Joly.
“Në një kohë kur siguria globale është e kërcënuar, nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme për demokracitë si Kanadaja dhe Danimarka të punojnë së bashku, përkrah popujve indigjenë, për të zgjidhur mosmarrëveshjet tona në përputhje me ligjin ndërkombëtar”, shtoi ajo.
Në një konferencë për shtyp me ministrin e Jashtëm danez Jeppe Kofod, tha se zgjidhja e konfliktit erdhi në një kohë kur "rendi ndërkombëtar i bazuar në ligj është nën presion", dhe vlerat demokratike janë "nën sulm", duke iu referuar luftës në Ukrainë.
"Ne kemi demonstruar se si mosmarrëveshjet e gjata mund të zgjidhen në mënyrë paqësore duke ndjekur rregullat," tha ai, duke shtuar se ai shpresonte "të frymëzonte vendet e tjera për të ndjekur të njëjtën rrugë".
Ishulli Hans, i cili ka 1.3 kilometra katrorë, ndodhet midis ishullit Ellesmere në veri të Kanadasë dhe Grenlandës, një territor danez. Mosmarrëveshja daton që nga viti 1973 kur u vendos kufiri detar midis dy vendeve.