Evropa dëbon diplomatët rusë e Zelensky bën thirrje për gjykime si të Nurembergut – dita 41 e luftës
Në ditën 41 të pushtimit rus në Ukrainë, presidenti ukrainas ka mbajtur një fjalim para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku ka folur për ngjarjet e fundit në Bucha dhe ka kërkuar sjelljen e liderëve rusë para drejtësisë.
Pas akuzave ndaj Rusisë për vrasjet në Bucha, vende të shumta kanë dëbuar diplomatë e punëtorë rusë, ndërsa Moska ka vazhduar të mohojë përgjegjësinë, duke thënë se videot e fotografitë nga Bucha, janë falsifikim monstruoz i Perëndimit.
Një përmbledhje të zhvillimeve kyçe të ditës, e gjeni më poshtë të përgatitur nga Nacionale.
Volodymyr Zelenskiy duke folur para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ka dhënë detaje rrënqethëse të mizorive në vendin e tij, duke kërkuar që liderët rusë “të sillen para drejtësisë për krime lufte”. Presidenti ukrainas po ashtu bëri thirrje për një gjykatë ndërkombëtare të ngjashme me gjyqet e Nurembergut për nazistët pas Luftës së Dytë Botërore.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, tha se ai "nuk do t'i harrojë kurrë imazhet e tmerrshme të civilëve të vrarë" në qytetin ukrainas Bucha. Ndërsa, nënsekretarja e përgjithshme e OKB-së për çështjet politike dhe ndërtimin e paqes, Rosemary DiCarlo, tha se akuzat për dhunë seksuale të kryera nga forcat ruse përfshijnë "përdhunime në grup dhe përdhunime para fëmijëve".
Avokatja e popullit ukrainas për të drejtat e njeriut, Lyudmyla Denisova, tha se midis 150 dhe 300 trupa mund të jenë në një varr masiv pranë një kishe në qytetin e Bucha-s.
Kryetari i qytetit Bucha, Anatoliy Fedoruk, tha se banorët e zhvendosur të Bucha-s nuk duhet të kthehen ende në shtëpitë e tyre sepse zona vazhdon të jetë e minuar.
Zëdhënësja e zyrës së OKB-së për të drejtat e njeriut, Liz Throssell, tha se të gjitha shenjat nga qyteti ukrainas Bucha tregonin se civilët ishin shënjestruar dhe vrarë drejtpërdrejt. Ajo i përshkroi imazhet e dala nga pasojat e pushtimit rus si "jashtëzakonisht shqetësuese".
Përfaqësuesi i përhershëm i Indisë në OKB, T.S. Tirumurti, dënoi vrasjen e civilëve në qytetin ukrainas të Bucha dhe bëri thirrje për një hetim të pavarur. Në të njejtën kohë, për herë të parë edhe Izraeli dënoi krimet në Bucha.
Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, tha se provat nga Bucha tregojnë "një fushatë të qëllimshme për të vrarë, për të torturuar, për të përdhunuar, për të kryer mizori". “Raportet janë më se të besueshme. Provat janë atje për t'i parë bota," tha ai para gazetarëve.
Ambasadori i Kinës në Kombet e Bashkuara, Zhang Jun, tha se raportet dhe imazhet që tregojnë vdekjet e civilëve në Bucha janë "shumë shqetësuese", por shtoi se rrethanat duhet të verifikohen dhe çdo akuzë duhet të bazohet në fakte.
Kremlini tha se pretendimet se forcat ruse kanë kryer krime lufte duke ekzekutuar civilë në Bucha janë një "falsifikim monstruoz" që synonjnë "denigrimin" e ushtrisë ruse. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u tha gazetarëve se deklaratat e djeshme të presidentit amerikan Joe Biden që bënte thirrje që Vladimir Putin të gjykohej për krime lufte, ishin të papranueshme dhe të padenja për një udhëheqës amerikan.
Pothuajse 200 persona - staf diplomatik rus janë dëbuar nga vendet evropiane këtë javë në një shprehje të drejtpërdrejtë të zemërimit të qeverive për vrasjet e civilëve ukrainas.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi se BE-ja po propozon sanksione të reja kundër Rusisë, duke përfshirë një ndalim të importit të qymyrit me vlerë 4 miliardë euro në vit. Paketa do të përfshijë gjithashtu një ndalim të plotë të transaksioneve në katër banka kryesore ruse, një ndalim për anijet ruse për të hyrë në portet e BE-së, si dhe ndalime të eksportit dhe importit.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se në takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s dhe G7, do të diskutohet për dërgimin e armëve të avancuara në Ukrainë.
Presidenti rus Vladimir Putin tha të martën se Rusia duhet të vëzhgojë me vëmendje eksportet e saj të ushqimit në vendet armiqësore, sepse sanksionet e Perëndimit kanë nxitur një krizë globale ushqimore dhe ngritje të çmimeve të energjisë.