Eskalon përplasja, Italia e padit Zvicrën për viktimat e zjarrit në resort, kërkon kompensim - NACIONALE

Eskalon përplasja, Italia e padit Zvicrën për viktimat e zjarrit në resort, kërkon kompensim

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Qeveria e Italisë tha të mërkurën se është regjistruar si paditëse në procedurat ligjore në Zvicër për rastin e zjarrit në resortin e skijimit Crans-Montana, ku mbetën të vrarë 41 njerëz, përfshirë gjashtë shtetas italianë.

Kjo lëvizje vjen pas tensioneve mes dy vendeve rreth incidentit që ndodhi natën e Vitit të Ri, rishtazi rreth kërkesës së Zvicrës për të kërkuar dëmshpërblim nga Italia për mbulimin e kostos së trajtimit mjekësor për italianët e lënduar nga zjarri, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Masa ligjore, që do ta vendoste Italinë në vijë për të marrë kompensim financiar, justifikohet nga “burimet domethënëse” të mobilizuara nga Mbrojtja Civile e Italisë për t’u dalë në ndihmë viktimave italiane, tha zyra e kryeministres Giorgia Meloni.

Kjo masë gjithashtu është e mbështetur në përgjegjësinë “tepër bindëse” të autoriteteve lokale zvicerane, “duke e justifikuar kërkesën e palëkundur për dëmshpërblim nga të gjitha palët që janë përgjegjëse në aspektin civil” – thuhet në një deklaratë të Qeverisë së Italisë.

Prokurorët zviceranë kanë nisur hetime ndaj pronarëve francezë të kafenesë si dhe ndaj disa zyrtarëve lokalë, përfshirë kryetarin e qytezës Crans-Montana, i cili ka pranuar se komuna e tij nuk kishte kryer disa kontrolle vjetore të sigurisë në qendrën ku ndodhi katastrofa.

Ambasadori i Italisë në Zvicër ka theksuar se vendi i tij ka trajtuar pacientë zviceranë të lënduar në Crans-Montana në njërin nga spitalet italiane dhe ka kontribuuar në operacionet e shpëtimit me një helikopter, pa kërkuar të holla./Nacionale

Lajme të ngjashme