Eskalon dhuna në Sudan, së paku 30 të vrarë nga bombardimi i një tregu nga ushtria - NACIONALE

Eskalon dhuna në Sudan, së paku 30 të vrarë nga bombardimi i një tregu nga ushtria

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Të paktën 30 persona u vranë, kur ushtria sudaneze bombardoi një treg në Omdurman gjatë asaj që banorët e qytetit më të madh të Sudanit e përshkruan si javën më të keqe të pasojave civile në njerëz që nga shpërthimi i luftës në prill.

Shumica e viktimave të sulmit ndaj tregut “Shaabi” të martën ishin fëmijë dhe gra, sipas dëshmitarëve. Burimet mjekësore thanë se predhat u hodhën nga baza ushtarake “Karri”, e cila kontrollohet nga ushtria, gjatë luftimeve të ashpra me Forcat e Mbështetjes së Shpejtë, raporton gazeta “The Guardian”.

Një shitës perimesh, i cili shkon shpesh në atë treg për ta blerë mallin me shumicë, tha se në mesin e viktimave kishte njerëz që po mundoheshin të vidhnin produkte. Çmimet e ushqimit janë rritur goxha muajve të fundit dhe shumë banorë të qyteteve Omdurman, Kharoum e Bahri kanë mbetur pa të holla.

“Shumica e viktimave ishin njerëz që kishin ardhur për ta plaçkitur tregun. Tregu është bërë shumë i rrezikshëm, sidomos pasdite. Ju thjesht mund të bombardoheni dhe të vdisni”- tha shitësi i perimeve.

Një shitës tjetër i perimeve tha se deri të enjten, disa prej trupave të viktimave ende ndodheshin të pambuluar dhe se trupat e fëmijëve ishin mbuluar vetëm më pako boshe.

Si qytete të tjera të rëndësishme të Sudanit, një pjesë e madhe e Omdurmanit i ngjan një fushëbeteje që nga shpërthimi i luftimeve mes ushtrisë së rregullt dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë më 15 prill, në konfliktin e tyre të gjatë për pushtet në regjimin ushtarak të vendit.

Rrugët përreth tregut janë mbushur me snajperë të ushtrisë këtë javë, pasi luftëtarët e Forcave për Mbështetje të Shpejtë u tërhoqën nga pozicionet që i kishin mbajtur që nga fillimi i konfliktit.

Lajme të ngjashme