Eskalim në kufirin e Libanit, Izraeli e Hezbollahu shkëmbejnë sulme me raketa - NACIONALE

Eskalim në kufirin e Libanit, Izraeli e Hezbollahu shkëmbejnë sulme me raketa

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Hezbollahu dhe Izraeli shkëmbyen sulme me raketa në zonat afër kufirit Izrael – Liban të shtunën, thanë zyrtarët e të dyja vendeve. Kjo është shkëndija më e re e dhunës për të cilën ShBA-ja brengoset se mund të shkaktojë përhapje të konfliktit në Lindje të Mesme.

Hezbollahu, grup që mbështetet nga Irani, tha se rrëzoi një dron izraelit afër kufirit në orët e hershme të së shtunës. Në anën tjetër, ushtria izraelite tha se pengoi një raketë të hedhur drejt një droni izraelit. Agjencia “Reuters” nuk mundi ta vërtetonte asnjërën deklaratë.

Zyrtarët libanezë thanë se një sulm ajror izraelit goditi një ndërtesë në një zonë industriale afër qytezës Nabatieh, njëri nga sulmet më të thella izraelite brenda territorit libanez që nga fillimi i luftës muajin e kaluar. Ushtria izraelite nuk e komentoi menjëherë incidentin.

Ligjvënësi Hani Kobeissy publikoi në internet një video ku ai shihej duke e vizituar objektin për të cilin tha se ishte dyqan alumini që ishte bombarduar nga Izraeli.

Hezbollahu lëshoi një varg deklaratash të shtunën herët, duke thënë se kishte goditur caqe dhe trupa izraelite në zonat përgjatë kufirit dhe se kishte shkaktuar viktima.

Ky grup i ka sulmuar trupat izraelite në kufirin e Libanit që nga fillimi i luftës mes Izraelit dhe Hamasit, ndërsa ushtria izraelite ka kryer sulme ajrore e artilerie në jug të Libanit. Më shumë se 70 luftëtarë të Hezbollahut, dhjetë civilë e dhjetë izraelitë, shumica ushtarë, janë vrarë gjatë këtyre luftimeve.

Kjo është dhuna më vdekjeprurëse që nga lufta e vitit 2006 mes dy palëve. Zyrtarët perëndimorë brendosen se këto përleshje paraqesin rrezik për t’i tërhequr më tej në konflikt Iranin dhe Shtetet e Bashkuara.

Lajme të ngjashme