Eskalim i ri: Pakistani kryen sulme hakmarrëse në Iran, raportohet për fëmijë e gra të vrara
Pakistani ka kryer sulme hakmarrëse me raketa në Iranin fqinj, dy ditë pas një sulmi të Iranit, I cili i tensionoi marrëdhëniet mes dy vendeve.
Autoritetet pakistaneze thanë se sulmet e tyre kishin goditur “strehë të terroristëve” në provincën kufitare, Sistan-o-Baloçistan, raporton televizioni BBC.
Mediat iraniane raportuan se tri gra dhe katër fëmijë janë vrarë nga këto sulme.
Goditja nga Pakistani erdhi pas zemërimit për shkak të sulmit nga Irani, për të cilin Teherani kishte thënë se e kishte për qëllim goditjen e grupeve terroriste.
Të dyja vendet e kanë akuzuar njëra-tjetrën për kohë të gjatë për strehimin e grupeve militante që kryejnë sulme nga rajonet kufitare përgjatë kufirit të përbashkët.
Megjithatë, veprimet ushtarake zyrtare mes Pakistanit e Iranit për këtë çështje janë të pazakonshme.
Të enjten, Ministria e Jashtme e Pakistanit i konfirmoi sulmet ndaj Iranit, për të cilat së pari kishin raportuar mediat iranian të mërkurën në mbrëmje.
Kjo ministri tha se Pakistani “i respekton plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial” të Iranit, por veprimet e saj të enjten ishin “manifestim i vendosmërisë së palëkundur për ta mbrojtur sigurinë e vet kombëtare kundër të gjitha kërcënimeve”.
Veprimet ushtarake të Pakistanit erdhën pasi ky shtet e dënoi ashpër sulmin e Iranit të martën, për të cilin Islamabadi tha se la të vrarë dy fëmijë.
Pakistani e kishte paralajmëruar Iranin për “pasoja serioze” për veprimin “e paligjshëm”, ia kishte ndaluar kthimin në Islamabad ambasadorit të Iranit dhe e kishte tërhequr ambasadorin e vet nga Teherani.
Gazeta Nacionale raportoi të mërkurën për sulmin e Iranit ndaj Pakistanit. Për ta lexuar atë artikull, klikoni KËTU.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli