E rrallë: Pakistani thotë se dy fëmijë janë vrarë nga sulmet e Iranit në territorin e tij
Autoritetet pakistaneze thanë se dy fëmijë u vranë dhe tre të tjerë u lënduan nga sulmet e Iranit fqinj të martën.
Irani tha se kishte vënë në shënjestër dy baza të lidhura me grupin militant “Jaish al-Adl”, sipas një agjencie të lajmeve të lidhur me ushtrinë e vendit, raporton televizioni BBC.
Megjithatë, Pakistani e ka mohuar këtë, duke e quajtur “akt ilegal” që mund të çojë në “pasoja serioze”.
Pakistani është shteti i tretë, pas Irakut e Sirisë, që goditet nga një sulm iranian brenda pak ditëve.
Një sulm me raketë nga Irani ndaj Pakistanit është pothuajse i pashembullt. Nga sulmi i së martës u godit një fshat në provincën jugperëndimore të Baloçistanit, që shtrihet në kufi me Iranin.
Përmes një deklarate me gjuhë të ashpër, Ministria e Jashtme e Pakistanit e dënoi atë që e quajti “shkelje të paprovokuar të hapësirës së vet ajrore nga Irani”.
Aty thuhet se incidenti është “tërësisht i papranueshëm” dhe shtohet se ishte “edhe më shqetësuese se ky akt ilegal ka ndodhur pavarësisht nga ekzistenca e disa kanaleve të komunikimit mes Pakistanit dhe Iranit”.
Pakistani ka paraqitur protestë te “një zyrtar i lartë i përfshirë” në Ministrinë e Jashtme të Iranit në Teheran, duke shtuar se kjo ishte “shkelje flagrante e sovranitetit të Pakistanit” dhe se “përgjegjësia për pasojat do të bien drejtpërdrejt mbi Iranin”.
Të hënën vonë, Irani kreu edhe sulme me raketa balistike kundër caqeve në qytetin verior irakian, Irbil, duke e nxitur reagimin e ShBA-së, e cila i dënoi këto sulme.
Sulmet e Iranit vijnë në kohën e tensioneve të ngritura në Lindje të Mesme që nga fillimi i luftës në Rripin e Gazës mes Izraelit dhe Hamasit të përkrahur nga Irani, më 7 tetor të vitit të kaluar.
Irani ka deklaruar se nuk dëshiron që të përfshihet në një konflikt më të gjerë, por grupet në të ashtuquajturin “Boshti i Rezistencës”, që përkrahet nga Irani, kanë kryer sulme ndaj Izraelit dhe aleatëve të tij për të shfaqur solidaritet me palestinezët e Gazës.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli