Erdogani thotë se sulmet ndaj Iranit janë shkelje e qartë e të drejtës ndërkombëtare
Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, të hënën i kritikoi sulmet e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit, duke i cilësuar si “shkelje e qartë” e të drejtës ndërkombëtare, duke shtuar se Turqia e ndan dhimbjen e popullit iranian.
Turqia, anëtare e NATO-s dhe fqinje e Iranit, me javë të tëra u kishte bërë thirrje Uashingtonit e Teheranit që të arrinin një marrëveshje gjatë disa rundeve të bisedimeve, duke paralajmëruar se rajoni nuk mund të duronte më shumë destabilizim, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Në kundërshtimin e tij më të fuqishëm deri më tani ndaj sulmeve, Erdogani tha se ato janë “shkelje e qartë e të drejtës ndërkombëtare”.
“Si fqinj dhe vëlla i tyre, ne e ndajmë dhimbjen e popullit iranian” – tha Erdogani në një iftar të shtruar në Ankara, duke shtuar se mosmarrëveshja ShBA – Iran u shndërrua në luftë pas provokimeve nga Izraeli.
Turqia historikisht ka pasur marrëdhënie të ndërlikuara me Iranin, pasi dy vendet kanë mbështetur palë të kundërta në luftën civile të Sirisë, por kanë mbajtur lidhje të ngrohta e tregti të fortë në fusha të ndryshme pavarësisht dallimeve. Erdogani ka ndërtuar lidhje të ngushta me presidentin amerikan, Donald Trump.
Ai tha të hënën se Turqia do t’i shpeshtojë kontaktet “në secilin nivel” derisa të arrihet një armëpushim dhe të krijohet hapësirë për diplomacinë, duke shtuar se Turqia nuk dëshiron “luftime, luftë, tensione e masakra” matanë kufijve të saj.
“I tërë qëndrimi ynë në lidhje me sulmet e paligjshme që e kanë në shënjestër Iranin janë në këtë vijë” – tha më tej presidenti turk, duke paralajmëruar se nëse nuk bëhet “ndërhyrja e duhur”, mund të ketë “pasoja serioze” për sigurinë rajonale dhe globale.
“Askush nuk mund ta përballojë barrën e paqartësive ekonomike e gjeopolitike që do t’i shkaktojë një periudhë e tillë. Për këtë arsye, zjarri duhet të shuhet para se të rritet më tej” – tha Erdogani./Nacionale