Erdogani për Ukrainën e Moldavinë: Dhënia e statusit kandidat s’do të thotë se do të bëhen anëtare
Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, ka pritje të ulëta për pranimin e Ukrainës e Moldavisë në BE, duke i përmendur përpjekjet e gjata të vendit të tij, të cilat vazhdimisht kanë dështuar.
Udhëheqësit e vendeve të Bashkimit Evropian u pajtuan javën e kaluar për t’i hapur bisedimet për anëtarësim me Ukrainën e Moldavinë, raporton gazeta “The Guardian”.
Sidoqoftë, duke folur para gazetarëve gjatë udhëtimit me aeroplan nga Hungaria, Erdogani tha se Turqia, që është shtet kandidat për anëtarësim në BE që nga viti 2005, para një kohe të gjatë e kishte fituar të drejtën për t’u bërë pjesë e bllokut, por se ishte lënë në ngecje për shkak të atyre që ai i quajti pengesa politike.
“Dhënia e statusit kandidat atyre nuk do të thotë se ato do të bëhen anëtare të BE-së. Një proces do të fillojë me to, edhe ato do të lihen në ngecje. Asnjëra nga këto shtete nuk janë Turqi”- citohet të ketë thënë Erdogani nga zyra e tij.
“Është gabim që Turqia, e cila është më e gatshme për t’u anëtarësuar në BE se disa vende anëtare, të lihet duke pritur në derë me vite për shkak të pengesave politike”- shtoi ai.
Aspirata e Ankarasë për t’u bërë pjesë e BE-së është ngrirë me vite për shkak të shqetësimeve të Bashkimit Evropian rreth të drejtave të njeriut në Turqi si dhe për shkak të dallimeve rreth politikave rajonale, përfshirë çështjet si Qiproja.