Emisari amerikan Witkoff në Moskë, pritet të takohet me Putinin
Emisari për paqe i Shteteve të Bashkuara, Steve Witkoff, pritet të udhëtojë në Moskë për bisedime të reja me Rusinë, përfshirë presidentin Vladimir Putin, rreth planit të presidentit amerikan, Donald Trump, për paqen në Ukrainë.
Duke shpresuar që të sigurojë rezultate para 100-ditëshit të Trumpit në pushtet javën e ardhshme, Witfkoff-it do t’i duhet të gjejë një mënyrë për ta përçuar zemërimin e presidentit amerikan me sulmin rus në Kiev të enjten, ndërkohë duke shpresuar që të bëjë progres të mirë, kur Uashingtoni po mundohet t’i bëjë presion Kievit që të pajtohet me propozimin amerikan.
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha se vendi i tij është i gatshëm për të arritur marrëveshje me Shtetet e Bashkuara dhe e çmoi Trumpin, duke thënë se ai është “ndoshta udhëheqësi i vetëm në Tokë që e njohu nevojën për t’i adresuar shkaktarët rrënjësorë të kësaj situate”, raporton gazeta "The Guardian".
Megjithatë, ende ka pika të mëdha ngërçi. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, vazhdimisht ka refuzuar që të heqë dorë nga territoret ukrainase të pushtuara nga forcat ruse, përfshirë Gadishullin e Krimesë.
Të enjten, ai shpjegoi se “ne bëjmë gjithçka që partnerët tanë kanë propozuar, nuk mund ta bëjmë vetëm atë që bie ndesh me legjislacionin dhe kushtetutën tonë”.
Presidenti ukrainas ka aleatë të fuqishëm në mesin e udhëheqësve evropianë si kryeministri britanik, Keir Starmer, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, si dhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i cili tha të enjten se është Moska, e jo Kievi, ajo që duhet të lëvizë përpara drejt bisedimeve.
Ish-kryeministri britanik, Boris Johnon, gjithashtu e kritikoi marrëveshjen e propozuar, duke thënë se Ukraina “nuk merr asgjë” sipas kushteve të ofruara nga Trumpi, edhe pse kreu i Shtëpisë së Bardhë këmbënguli të enjten se “ndalja e luftës, ndalja e marrjes së tërë vendit (Ukrainës)” nga Rusia është “koncesion goxha i madh”./Nacionale