Emigrantët shqiptarë bëhen problem për Britaninë, autoritetet kërkojnë një mënyrë të shpejtë për t'i larguar - NACIONALE

Emigrantët shqiptarë bëhen problem për Britaninë, autoritetet kërkojnë një mënyrë të shpejtë për t'i larguar

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Deputetët në Komitetin e Çështjeve të Brendshme të Britanisë së Madhe, kanë njoftuar se vendi është duke shpenzuar thuajse 7 milionë funte në ditë për strehimin e azilkërkuesëve dhe kanë paralajmëruar që kostoja mund të rritet edhe më shumë.

E ndërkohë që u bë e ditur se shifra është mbi 2 milion funte më e lartë se sa në muajin shkurt, fokus në diskutimin për emigrantët morën shqiptarët, me zyrtarët britanikë që thonë se që nga fillimi i vitit rreth 60% e emigrantëve që kanë kaluar kanalin anglez ishin nga Shqipëria.

Sipas shifrave të dhëna, mbi 12,000 shqiptarë kanë arritur në Mbretërinë e Bashkuar brenda vitit, e kjo ka bërë që vendi të nis kërkimin për gjetjen e një mënyre të shpejtë për t’i kthyer në Shqipëri.

Sipas The Guardian, deputetëve u është thënë se mund të krijohet një rrugë e shpejtë për të procesuar çështjet e imigracionit të shqiptarëve, në mënyrë që ata që nuk janë të sukseshëm të kthehen prapa.

Duke folur për çështjen e duke e cilësuar si “situatë serioze”, ministri i imigracionit Robert Jenrick është shprehur të enjten se ka propozime për “zgjidhjen e saj”.

“Ne po shqyrtojmë nëse ka një rrugë të caktuar për shqiptarët që rastet e tyre të procesohen shpejt dhe të largohen nga vendi nëse nuk rezultojnë të jenë të suksesshëm,” ka thënë Jenrick për dhomën e përfaqësuesëve.

Ai po ashtu ka shtuar se zyrtarët e Mbretërisë së Bashkuar duan të punojnë me autoritetet shqiptare me shpresën për të arritur përfundimisht një marrëveshje për imigracionin.

“Disa raporte sugjerojnë se rreth 1% apo edhe 2% e popullsisë së rritur mashkullore të Shqipërisë ose kanë tentuar të largohen nga vendi në këtë mënyrë ose po mendojnë ta bëjnë këtë. Pra, kjo është një situatë serioze që duhet ta kapërcejmë,” ka shtuar më tej ai.

Ndër të tjera, Jenrick ka thënë se qeveria do të përpiqet të ndërtojë një marrëdhënie më "konstruktive" me Francën, në mënyrë që të trajtohen çështjet e emigracionit me Rishi Sunak si kryeministër.

Lajme të ngjashme