Elon Musk ndërron mendje, thotë se do ta financojë internetin në Ukrainë - NACIONALE

Elon Musk ndërron mendje, thotë se do ta financojë internetin në Ukrainë

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Vetëm një ditë më parë, njëriu më i pasur në botë Elon Musk, tha se kompania e tij nuk do të mund të paguajë më për internetin satelitor në Ukrainë, duke kërkuar nga Pentagoni që të marrë përsipër shpenzimet që arrinin në miliona dollarë.

Por, të shtunën, duket se Musk ndryshoi mendje, pasi njoftoi se kompania e tij do të vazhdojë të paguajë për internetin.

“Dreqin, edhe pse Starlink po humbet para dhe kompanitë e tjera po marrin miliarda dollarë nga taksapaguesit, ne thjesht do të vazhdojmë të financojmë qeverinë e Ukrainës falas,” ishte postimi i Elon Musk në Twitter.

Të premten, Musk kishte thënë se SpaceX nuk do të ishte më në gjendje të paguante për Starlink në Ukrainë për një kohë të pacaktuar, pasi ushtria amerikane konfirmoi se po komunikonte me kompaninë e miliarderit për financimin e rrjetit kyç.

Diskutimet për internetin erdhën pas një grindjeje publike të Musk me liderët ukrainas, të cilët u zemëruan nga propozimet e tij të diskutueshme për de-përshkallëzimin e konfliktit, i cili përfshinte njohjen e sovranitetit rus mbi Krimenë.

Starlink, që ka më shumë se 3,000 satelitë të vegjël në orbitën e ulët të Tokës, ka qenë jetik për komunikimet e Ukrainës gjatë luftës me Rusinë.

E sipas një shifre të përditësuar nga Musk javën e kaluar, kompania SpaceX i ka dhuruar Ukrainës rreth 25,000 terminale tokësore për internet.

Lajme të ngjashme