Elon Musk largohet nga Shtëpia e Bardhë
Miliaderi Elon Musk ka thënë se do të largohet nga administrata e presidentit Donald Trump të ShBA-së, pasi ndihmoi në udhëheqjen e një nisme të trazuar për ta zvogëluar qeverinë federale, me ç’rast u shuan mijëra vende pune.
Në një shkrim të publikuar në rrjetin X, personi më i pasur në botë e falënderoi Trumpin për mundësinë që ia dha duke e udhëhequr Departamentin e Efiçiencës Qeveritare, i njohur si Doge, raporton televizioni BBC.
Roli i tij ishte i përkohshëm dhe largimi nuk është i befasishëm, por vjen një ditë pasi Musku e kritikoi pjesën qendrore legjislative të agjendës së Trumpit.
“Përderisa koha ime e caktuar si punonjës i veçantë qeveritar po merr fund, do të doja që ta falënderoj presidentin Donald Trump për mundësinë që ta zvogëloj shpenzimin e kotë” – shkroi Musku në rrjetin X.
“Misioni i Doge-s vetëm do të fuqizohet me kalimin e kohës, përderisa bëhet mënyrë jetese në mbarë qeverinë” – shtoi ai.
Amerikani me prejardhje jugafrikane ishte caktuar si “punonjës i veçantë qeveritar”, duke i mundësuar që të mbajë një vend pune në administratën federale për 130 ditë çdo vit.
Duke u matur nga inaugurimi i Trumpit më 20 janar, ai do ta arrinte këtë kufi kohor në fund të majit.
Megjithatë, largimi i tij vjen një ditë pasi tha se ishte “i zhgënjyer” me projektligjin e Trumpit për buxhetin, në të cilin propozohen lehtësime trilionëshe në taksa dhe rritja e shpenzimeve në mbrojtje.
Shefi i kompanive “Tesla” dhe “SpaceX” tha në një intervistë me televizionin CBS se “projektligji i madh e i bukur”, siç e quan Trumpi, do ta rrisë deficitin federal. Musku tha gjithashtu se ky projektligj “e minon punën” e Departamentit të Efiçiencës Qeveritare./Nacionale