Ekuipazhi kinez kthehet në Tokë pas gjashtë muajve në hapësirë
Tre astronautë kinezë u kthyen të hënën në Tokë pas qëndrimit 6-mujor në stacionin hapësinor “Tiangong”, pjesë e përpjekjeve të Kinës për të qenë udhëheqëse globale në eksplorimin e hapësirës.
Një parashutë e ngadalësoi uljen e kapsulës së tyre gjatë natës në një zonë të largët të rajonit të Mongolisë së Brendshme në Kinë. Ekuipazhi doli nga kapsula pas kontaktit të saj me sipërfaqen e tokës në orën 1 e 24 minuta pas mesnatës. Një flamur kinez ishte ngulitur në tokë, afër kapsulës, dhe po valëvitej nga era, raporton agjencia “Associated Press”.
Viteve të fundit, përmes programit hapësinor Kina ka sjellë gurë nga Hëna dhe ka lëshuar një sondë në Mars. Shteti i madh aziatik synon që të dërgojë një njeri në Hënë deri në viti 2030, duke e bërë shtetin e dytë në botë, pas ShBA-së, që shënon arritje të tillë.
Tre astronautët e stacionit hapësinor u rikthyen në planetin tonë pasi javën e kaluar kishin mirëpritur tre zëvendësues, të cilët gjithashtu pritet të qëndrojnë për gjashtë muaj në hapësirë. Ekipi i ri, që përbëhet nga një grua dhe dy burra, do të kryejë eksperimente, do të bëjë ecje në hapësirë dhe do të instalojë pajisje për mbrojtjen e stacionit nga mbetjet hapësinore.
Një zyrtar i agjencisë hapësinore kishte thënë në prill se stacioni hapësinor kishte bërë manovrime disa herë për t’iu shmangur mbetjeve hapësinore dhe kishte mbetur pjesërisht pa energji, kur kabllot e rrymës të krahut solar ishin goditur nga mbetjet, sipas një raporti të agjencisë zyrtare të lajmeve, “Xinhua”.
Stacioni hapësinor “Tiangong”, që në gjuhën shqipe do të thotë “Pallati Qiellor”, u përfundua para dy vjetëve dhe kryen orbita rreth Tokës.
Vetëm astronautë kinezë janë vendosur në atë stacion deri më tani, por një zëdhënës i agjencisë hapësinore tha javën e kaluar se Kina është në diskutime për të përzgjedhur dhe për të trajnuar astronautë nga shtete të tjera për t’u bërë pjesë e misioneve, raportona agjencia “Xinhua”./Nacionale