Ekstremisti Wilders mund të mbetet pa u bërë kryeministër i Holandës, tërhiqet një partner
Gjasat e politikanit holandez të së djathtës ekstreme, Geert Wilders, për t’u bërë kryeministër i Holandës kanë pësuar një goditje të rëndë, pasi njëri nga tre partnerët e tij të mundshëm papritmas u tërhoq nga bisedimet për formimin e një koalicioni, duke e cituar shqetësimin për financat publike.
Partia “Liria” e Wilders-it e shokoi Evropën duke përfunduar e para në zgjedhjet e vitit të kaluar. Kjo parti tha se është “jashtëzakonisht e zhgënjyer” nga vendimi i partisë NSC (Kontrata e Re Sociale) për të deklaruar se është “e kryer” me rundin e tanishëm të bisedimeve, raporton gazeta “The Guardian”.
Kryetari i kësaj partie, Pieter Omtzigt, nuk e përjashtoi mundësinë që të ofronte përkrahje për një qeveri të pakicës, por u duk se ka përjashtuar çdo gjasë për t’iu bashkuar një koalicioni të mundshëm të së djathtës, raportoi transmetuesi publik, NOS.
Mediat holandeze raportuan se Omtzigt-i, ish-deputet i kristian-demokratëve që kishte bërë fushatë për “qeverisje të mirë” e “bërje të politikës ndryshe”, është tmerruar nga të dhënat konfidenciale të kabinetit rreth gjendjes së financave publike.
“NSC-ja nuk synon që të bëjë premtime para popullit holandez që tashmë e di se janë boshe dhe nuk mund të përmbushen nga qeveria e ardhshme. Kështjellat në ajër nuk janë themeli për një ekzistencë të sigurt” – shkroi ai në një letër dërguar anëtarëve të partisë.
Ronald Plasterk, ish-ministër që po vepron si ndërmjetësues në bisedimet për formimin e një koalicioni, tashmë i kishte përmendur financat si pengesë kyçe, pasi ekspertët e ekonomisë kishin paralajmëruar se koalicioni i ri duhet të gjejë 17 miliardë euro për kufizimet strukturore të shpenzimeve.
Partia e Wilders-it fitoi 37 ulëse në zgjedhjet e nëntorit, por nuk arriti që ta kapte shifrën prej 76 deputetësh, që nevojitet për ta formuar shumicën. Koalicioni i tij i parapëlqyer ishte pikërisht me NSC-në, e cila ka fituar 20 ulëse, dhe me partinë e qendrës së djathtë, VVD, që ka fituar 24 ulëse.
Politikani i së djathtës ekstreme tashmë kishte premtuar se do të hiqte dorë nga premtimet antikushtetuese, si ndalimi i xhamive dhe i Kuranit, si dhe nga propozimet e refuzuara nga partnerët e tij të mundshëm, si referendumi për largimin e Holandës nga BE-ja.
Pa NSC-në, duket se Wilders-i nuk ka gjasa për të formuar një qeveri të shumicës. “Holanda e dëshiron këtë kabinet, dhe tani Omtzigt-i po e hedh peshqirin, përderisa ne ende ishim në bisedime deri më sot. Nuk po e kuptoj aspak” – tha ai.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli