Ekspertët: Vance si kandidat për nënpresident, lajm i tmerrshëm për Ukrainën e Evropën
Zgjedhja e JD Vance si kandidat për nënpresident të ShBA-së nga republikani Donald Trump e ka shtuar frikën në Evropë se ai do ta ndjekë politikën e jashtme “Amerika së pari”, që do të mund të kulmonte me shtytjen e Ukrainës nga ShBA-ja që të pajtohet me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe të bënte paqe me Rusinë.
“Është keq për ne, por është lajm i tmerrshëm për [Ukrainën]. [Vance] nuk është aleati ynë” – tha një diplomat i lartë evropian në Uashington, raporton gazeta “The Guardian”.
Diplomatë dhe vëzhgues të huaj shpesh i kanë quajtur politikat e tanishme të Trumpit si “kuti e zezë”, duke thënë se është e pamundshme që të dihet me siguri se çfarë do të bëjë udhëheqësi i paparashikueshëm, nëse vjen në pushtet.
Disa e kanë qetësuar veten duke sugjeruar se emra të përmendur për pozita të larta, si ish-këshilltari për siguri kombëtare, Robert O’Brien, do të mbajnë një status-kuo të politikës së jashtme, përderisa Trumpi përqendrohet në çështje të brendshme.
Megjithatë, mundësia për një administratë të re të Trumpit tani ka një figurë shumë më energjike që do ta nxisë skepticizmin e Trumpit ndaj Ukrainës dhe Evropës.
“Senatori Vance ishte njëri nga kundërshtarët kryesorë të pakos së re të ndihmës për Ukrainën pranverën e kaluar dhe ka shprehur indiferencë për atë që ndodh në atë luftë” – tha Michael McFaul, drejtor i Institutit “Freeman Spogli” për Studime Ndërkombëtare dhe ish-ambasador në Rusi.
“Përmes zgjedhjes së Vances si shok në garë, Trumpi qartësoi një zgjedhje shumë të qartë për votuesit amerikanë në nëntor rreth politikës së jashtme” – shtoi ai.
“Strategjia e politikës së jashtme e presidentit Biden është kontrast radikal me qasjen e z.Trump. Bideni dhe Harrisi e kanë promovuar demokracinë dhe kanë qëndruar përballë autokratëve. Trumpi dhe Vance nuk i kanë kushtuar vëmendje avancimit të demokracisë jashtë vendit dhe, në vend të kësaj, i kanë përqafuar autokratët. Kontrasti në qasjet e jashtme, të përqafuara nga këta dy kandidatë presidencialë, nuk ka qenë kurrë më i qartë gjatë jetës sime” – tha më tej McFaul.
Në publik, Vance i ka kritikuar pakot amerikane të ndihmës për Ukrainën dhe ka bërë thirrje për bisedime me Rusinë, edhe pse Kievi ka thënë se nuk dëshiron negociata. Ai e ka akuzuar administratën e presidentit Biden për “mikro-menaxhim” të luftës së Izraelit në Gaza dhe ka thënë se Amerikan duhet “t’i mundësojë Izraelit që në të vërtetë ta kryejë punën”.
Ai gjithashtu ka kërkuar që vendet evropiane të paguajnë një përqindje më të lartë të prodhimit vendës bruto për NATO-n, duke shkruar këtë vit: “Shtetet e Bashkuara kanë ofruar një batanije të sigurisë për Evropën për kohë tepër të gjatë.”
“Mendoj se Vance është zgjedhur të paktën pjesërisht për politikën e tij të jashtme dhe për politikën e tij tregtare” – tha Emma Ashford nga Qendra “Stimson” në Uashington.
“Vance e përfaqëson shumë këtë krahun e ri djathtist që ka qenë duke u rritur në Partinë Republikane. Ata janë shumë më shumë nacionalistë, disi proteksionistë, kundër emigrantëve... Trumpi ishte ai që kryesisht e nisi këtë më 2016 dhe Vance është bërë njëri nga udhëheqësit kongresionistë të saj” – shtoi ajo./Nacionale/Nasuf Abdyli