Ekonomitë e Gjermanisë dhe Francës i rikthehen rritjes, s'mund t'i vajtojë tash deputet Kurti - NACIONALE

Ekonomitë e Gjermanisë dhe Francës i rikthehen rritjes, s'mund t'i vajtojë tash deputet Kurti

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ekonomitë e Gjermanisë dhe Francës e kanë lënë pas vetes tkurrjen që e kishin pësuar në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, duke iu kthyer rritjes – edhe pse të vogël – në çerekun e parë të këtij viti.

Ekonomia gjermane u rrit për 0,2 për qind në çerekun e parë të vitit, sipas të dhënave të reja, pas tkurrjes prej 0,2 për qind në tre muajt e fundit të vitit 2024, raporton gazeta “The Guardian”.

Zyra Federale e Statistikave, Destatis, gjithashtu raporton se shpenzimet përfundimtare të konsumit të amvisërive dhe formimi i kapitalit ishin më të larta në tre muajt e parë të këtij viti në krahasim me tremujorin paraprak.

Sidoqoftë, kjo zyrë gjithashtu raportoi se prodhimi vendës bruto (GDP) në çerekun e parë të këtij viti ishte për 0,4 për qind më i ulët në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, transmeton gazeta "Nacionale".

Prodhimi vendës bruto i Francës u rrit për 0,1 për qind në periudhën janar – mars, raportoi agjencia e statistikave INSEE. Kjo rritje erdhi pas tkurrjes prej 0,1 për qind në periudhën tetor – dhjetor 2024 dhe nënkupton që Franca e ka shmangur tkurrjen ekonomike për dy tremujorë radhazi, që do të ishte recesion teknik.

Megjithatë, agjencia e statistikave raportoi se kërkesa e brendshme përfundimtare dhe konsumi i amvisërive shënuan ngecje.

Prodhimi vendës bruto i Eurozonës shënoi rritje për 0,4 për qind në çerekun e parë të vitit. Agjencia e statistikave “Eurostat” raporton se Irlanda e regjistroi rritjen më të madhe në krahasim me tremujorin paraprak – 3,2 për qind, e pasuar nga Spanja dhe Lituania – të dyja me nga 0,6 për qind.

Ekonomia e Italisë u rrit për 0,3 për qind në çerekun e parë të vitit në krahasim me tremujorin paraprak, duke befasuar pozitivisht, pasi ishte pritur që rritja të ishte 0,2 për qind.

Rikthimi i ekonomisë gjermane në rritje mund t’i shkaktojë telash deputetit të zgjedhur dhe kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, sidomos nëse do të ketë zgjedhje të reja.

Ai nuk do të mund ta marrë më si shembull negativ ekonominë gjermane, për të cilën gjatë fushatës së fundit zgjedhore kishte thënë se është buzë recesionit.

“Kosova po lulëzon, e fatkeqësisht Gjermania është buzë recesionit. Kanë me u kthy gjithë e më shumë bashkëatdhetarët tonë. Ta përparojmë atdheun tonë. Edhe mënyra e tretë qysh kena me rrit fuqinë punëtore janë gratë. Prandja do ta kemi super punën për gratë” - kishte thënë ai.

Lajme të ngjashme