Ekonomisti pro-evropian me shtetësi amerikane, Alexandru Munteanu, emërohet kryeministër i Moldavisë
Kuvendi i Moldavisë të premten emëroi një kryeministër të ri për t’i udhëhequr përpjekjet e shtetit të vogël evropian për t’u anëtarësuar në BE dhe për t’u çliruar nga orbita politike e Rusisë.
Emërimi i ekonomistit 61-vjeçar, Alexandru Munteanu, vjen pas zgjedhjeve parlamentare të shtatorit, në të cilat partia në pushtet e presidentes Maia Sandu mposhti një rival me prirje pro-ruse dhe fitoi një mandate të ri për ta ndjekur rrugën evropiane të Moldavisë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Ne kemi një mundësi unike për t’u bërë Qeveria që do ta sjellë Moldavinë në Bashkimin Evropian” – tha Minteanu para votimit nga deputetët, ku e mori mbështetjen e 55 nga 101 sosh.
Qeveria e Munteanus do të ballafaqohet me disa vështirësi ekonomike dhe me inflacionin vazhdimisht të lartë, kryesisht rezultat i pushtimit rus të Ukrainës që nisi më 2022.
Anëtarësimi në Bashkimin Evropian mund të marrë shumë vjet dhe Moldavia do të duhet të ndërmarrë reforma të vështira si pastrimi i sistemit të drejtësisë dhe rigjenerimi i rrjetit të vjetruar energjetik.
Munteanu, i cili ka punuar jashtë vendit për rreth 20 vjet, përfshirë Bankën Botërorë, dhe më parë nuk ka mbajtur ndonjë post publik, tha se prioritete të ekzekutivit të udhëhequr nga ai do të jenë “BE-ja, paqja, rritja”. Ai ka shtetësi të trefishtë – moldave, rumune dhe amerikane.
Rezultati i zgjedhjeve parlamentare të muajit të kaluar është parë si qortim ndaj Moskës, të cilën zyrtarët e kanë akuzuar për ndërhyrje të gjerë politike. Rusia i mohon akuzat.
Munteanu gjithashtu sinjalizoi se vendi i tij do të përpiqet që ta zgjidhë edhe problemin e gjatë me rajonin e Transdnistrisë, ku separatistët pro-rusë e ndanë atë territor nga Moldavia në një luftë të shkurtër në vitet e nëntëdhjeta.
Konflikti ka mbetur i heshtur, por nuk ka pasur pothuajse fare përparim në zgjidhjen e tij. Synimi i Moldavisë për hyrje në BE ia ka shtuar urgjencën zgjidhjes së këtij problemi./Nacionale