Eisenkoti e akuzon Netanyahun për humbje kohe e mosveprim: Hamasi po kthehet në veri - NACIONALE

Eisenkoti e akuzon Netanyahun për humbje kohe e mosveprim: Hamasi po kthehet në veri

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministri izraelit, Gadi Eisenkot, i cili është vëzhgues në kabinetin e luftës, e ka akuzuar kryeministrin Benjamin Netanyahu për humbje kohe në luftën kundër Hamasit dhe ka shprehur shqetësim se vendime të rëndësishme po merren në mënyrë të njëanshme, raportoi të enjten televizioni publik izraelit.

Në raportin e televizionit “Kan” citohet Eisenkoti, ish-komandant i ushtrisë izraelite, t’u ketë thënë kolegëve të partisë së tij, Uniteti Kombëtar, në një takim të mërkurën se “kryeministri po bën zvarritje”, raporton gazeta “The Times of Israel”.

“Ai nuk konsultohet dhe ai nuk merr vendime për çështje kritike” – tha Eisenkoti, duke shtuar se Hamasi është duke përfituar nga ky mosveprim.

“Netanyahu nuk po vendos se kush do ta zëvendësojë Hamasin dhe kjo po çon te fakti se rreth 60 për qind e ndihmave [që po hyjnë në Gaza] po përfundojnë në duart e Hamasit” – shtoi ai, sipas transmetuesit publik.

“Me kryeministrin që po e shfrytëzohen kohën e vet e nuk po merr vendime për çështje të rëndësishme, Hamasi po i kthen disa prej kapaciteteve të veta, duke u rikthyer në veri të Rripit të Gazës dhe duke i marrë nën kontroll ndihmat humanitare” – tha më tej Eisenkoti.

Komentet e këtij zyrtari erdhën në kohën e përtëritjes së bisedimeve me Hamasin për një marrëveshje për lirimin e pengjeve. Qeveria duhet të vendosë nëse do të kërkojë marrëveshje, përfshirë një pauzë në luftime, apo të vazhdojë me luftën kundër Hamasit.

Ditëve të fundit, grupi palestinez ka dhënë një përgjigje për kornizën e propozuar nga Izraeli, Egjipti e Hamasi. Thuhet se Hamasi ka bërë një kundërpropozim, i cili përfshin katër muaj e gjysmë armëpushim gjatë lirimit të pengjeve në tri faza e që do ta sillte edhe përfundimin e luftës.

Në një konferencë për gazetarë të mërkurën, Netanyahu i refuzoi kushtet “deluzive” të Hamasit për një marrëveshje të re, duke argumentuar se vetëm presioni ushtarak do ta sigurojë lirimin e izraelitëve që po mbahen peng në Rripin e Gazës.

Deklarata e Netanyahut e parandaloi mbajtjen e një takimi të planifikuar për të enjten, gjatë të cilit kabineti i luftës pritej ta formulonte zyrtarisht përgjigjen e Izraelit ndaj propozimit të Hamasit.

Televizioni “Kan” raportoi se brenda partisë Uniteti Kombëtar ka pakënaqësi të përgjithshme me mënyrën se si Izraeli po i përgjigjet ofertës së re të Hamasit. Përderisa partia pajtohet në përgjithësi me komentet e Netanyahut dhe ato të ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, të cilët kryesisht e kundërshtuan propozimin e palës armike, ata janë të shqetësuar se deklaratat u bënë para konsultimit ose diskutimit të çështjes në kabinetin e luftës../Nacionale

Lajme të ngjashme