Ngrihet aktakuzë e rëndë kundër Trumpit, akuzohet si pjesë e një "organizate kriminale"
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, është akuzuar për përpjekje për ta zhbërë humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020 në shtetin Georgia të ShBA-së.
Një juri votoi për t’i akuzuar Trumpin dhe 18 persona të tjerë me akuza ku përfshihet edhe pasurimi në mënyrë të paligjshme, raporton televizioni BBC.
Në këtë rast janë ngritur 41 akuza, 13 prej tyre kundër ish-presidentit Trump. Kjo është hera e katërt që miliarderi i famshëm amerikan ballafaqohet me ngritje të akuzave këtë vit.
Ai i ka mohuar të gjitha akuzat, ndërsa zyrtarët e fushatës së tij kanë thënë se ShBA-ja është bërë “diktaturë e Botës së Tretë Marksiste”.
Prokurorja e qarkut në distriktin Fulton, Fani Willis, kishte nisur një hetim në shkurt të vitit 2021 për dyshimet rreth ndërhyrjes në zgjedhje kundër Trumpit dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Pas publikimit të aktakuzës të hënën në mbrëmje, ajo njoftoi se do t’ua jepte të pandehurve mundësinë që të dorëzohen në mënyrë vullnetare jo më vonë se deri në mesditën e 25 gushtit. Ajo tha se planifikon që t’i sjellë para gjyqit të gjithë të 19 të akuzuarit së bashku.
Në listën e bashkëpunëtorëve të dyshimtë në konspiracion përfshihen ish-avokati i Trumpit, Rudy Guillani, ish-shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Mark Meadows, dhe ish-avokati i Shtëpisë së Bardhë, John Eastman.
Në aktakuzë thuhet se të pandehurit “me vetëdije dhe me dashje iu bashkuan një konspiravioni për ta ndryshuar në mënyrë të paligjshme rezultatin e zgjedhjeve në favor të Trumpit”.
Aktakuza u referohet të pandehurve si “organizatë kriminale”, duke i akuzuar edhe për krime të tjera, si ndikimi ndaj dëshmitarëve, ndërhyrja në kompjuterë, vjedhja dhe dëshmia e rreme.
Për akuzën më serioze – shkelja e Aktit për Ndikim nën Pagesë të Paligjshme dhe Organizata të Korruptuara, mund të jepet dënimi maksimal prej 20 vitesh burgim.
